Në Seancën e 3-të të Gjykatës Kushtetuese të mbajtur më 4 shkurt 2026, Gjykata inicio procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 14 në pjesën: “kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë dhe”, dhe nenit 15 në pjesën: “gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë”, të Ligjit për Pagat dhe Kompensimet e tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës Socialiste të Maqedonisë”, nr.36/1990 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.44/1990, 11/1991, 38/1991, 23/1997, 37/2005, 84/2005, 121/2007, 161/2008, 92/2009, 42/2010, 97/2010, 162/2010, 11/2012, 145/2012, 170/2013, 139/2014, 45/2018 dhe 233/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.51/2023, 65/2023, 51/2024 dhe 272/2024).
Gjykata caktoi afat prej 60 ditësh për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta ndryshuar ose plotësuar Ligjin në përputhje me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë përfshirë në Aktvendimin për inicim.
Si sqarim, me nenin 14 të Ligjit për Pagat dhe Kompensimet e tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë, rregullohet koeficienti për përcaktimin e pagës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë dhe nënkryetarit të Kuvendit, i cili është 3.08, ndërsa përveç kësaj, me nenin 15 të Ligjit, rregullohet koeficienti për përcaktimin e pagës së anëtarit të Qeverisë, kryetarit të një trupi të punës së Kuvendit, gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, guvernatorit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, avokatit të shtetit të Maqedonisë, avokatit të popullit, sekretarit të Kuvendit dhe sekretarit të Qeverisë, është deri në 2.85.
Për Gjykatën, është fakt i padiskutueshëm se rregullimi i pagave të gjykatësve përbën “materia legis”, përkatësisht se kjo çështje duhet të rregullohet me Ligj, i cili është kryesisht në kompetencë të Kuvendit, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të rregullohen me të njëjtin regjim normativ, me të njëjtën logjikë dhe me kriteret ligjore si për pagat e bartësve të tjerë të funksioneve publike nga pushteti ligjvënës, ekzekutiv dhe monetar. Pikërisht për këtë arsye, në Gjykatë me justifikim të plotë u ngrit çështja se me dispozitën e kontestuar injorohet pozicioni kushtetues i Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatësve kushtetues, të cilët kanë garancitë më të forta të mundshme për pavarësinë dhe autonominë e tyre. Gjykata vlerësoi është kushtetushmërisht problematike që çështja e pagave të tyre – si një element i lidhur ngushtë me statusin e tyre – të rregullohet me të njëjtat kritere që zbatohen për përcaktimin e koeficienteve për pagat e bartësve të tjerë të funksioneve publike, sepse një qasje e tillë e neutralizon specifikën kushtetuese dhe funksionin mbrojtës të statusit të tyre.
Pavarësia e Gjykatës nuk është deklarative, por nënkupton garanci reale institucionale, ku statusi material i gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese zë një vend të rëndësishëm. Paga dhe mënyra e përcaktimit të saj janë pjesë përbërëse e këtyre garancive dhe, kur i rregullon ato, Ligjvënësi është i detyruar të marrë parasysh tërësinë e Kushtetutës dhe mënyrën se si kushtetutëbërësi e ka vendosur Gjykatën Kushtetuese në rendin kushtetues-juridik.
Gjykata vlerësoi se rregullimi i pagave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese në të njëjtin regjim normativ, që nënkupton kritere identike dhe barazim të natyrës së kompetencave të tyre të përcaktuara me Kushtetutë, me kompetencat e bartësve të tjerë të funksioneve publike, paraqet shkelje thelbësore të sundimit të së drejtës si vlerë themelore e rendit kushtetues.