Sot, Gjykata Kushtetuese në seancën e 12-të, inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 37 paragrafi 1 në pjesën: “i lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.23/2013, 12/2014, 44/2014, 144/2014, 10/2015, 25/2015, 150/2015, 192/2015, 27/2016, 163/2017, 21/2018, 198/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.104/2019, 146/2019, 275/2019, 88/2020, 311/2020, 294/2021, 150/2022, 236/2022, 236/2022, 265/2024, 17/2025 dhe 132/2025).
Për Gjykatën, në këtë fazë të procedurës, parimi i barazisë i garantuar me nenin 9 të Kushtetutës është thelbësor. Faktikisht, një fëmijë, prindërit e të cilit janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fiton shtetësinë sipas prejardhjes dhe mbi këtë bazë duhet të gëzojë të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët e tjerë, përkatësisht të drejtën për ndihmë financiare të njëfishtë nga shteti.
Prandaj, me justifikim të plotë u parashtrua çështja para Gjykatës Kushtetuese se me dispozitën e kontestuar bëhet dallimi ndërmjet fëmijëve të lindur në vend dhe fëmijëve të lindur jashtë vendit, megjithëse edhe njëra palë edhe tjetra kanë prindër që janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Gjykatës, vetë vendi i lindjes nuk mund të jetë bazë për kufizimin e një të drejte që u përket shtetasve mbi një bazë krejtësisht të ndryshme, përkatësisht sipas prejardhjes.
Në këtë drejtim, Gjykata shprehu dyshime se Ligjvënësi, pa justifikim legjitim dhe të arsyeshëm, i vendos fëmijët e lindur jashtë vendit në një pozitë të pavolitshme, gjë që shkel parimin kushtetues të barazisë, por edhe cenon në mënyrë indirekte lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
Gjykata, duke u mbështetur në një situatë hipotetike, shprehu dyshime se dispozita është jokushtetuese, përkatësisht çdo grua shtatzënë ka të drejtë të udhëtojë lirisht sipas gjendjes së saj shëndetësore, ndërsa lindja jashtë vendit mund të jetë gjithashtu rezultat i rrethanave të paplanifikuara ose të parakohshme, pa synuar emigrimin e përhershëm. Prandaj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se vendi i lindjes nuk duhet të jetë kriter për trajtim të pabarabartë të fëmijëve të shtetasve të Maqedonisë së Veriut.
