Gjykata Kushtetuese e anuloi Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve, të miratuar në shkurt 2026 në Kuvend

Sot, Gjykata Kushtetuese mbajti seancën e 9-të, në të cilën e anuloi Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.39/2026).


Në vendimin përfundimtar për anulimin e Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve, të miratuar në shkurt të vitit 2026, si argumentet vendimtare u përcaktuan rëndësia e mëvetësisë dhe pavarësisë financiare të gjyqësorit, si pjesë përbërëse e pavarësisë së garantuar kushtetuese të pushtetit gjyqësor, si dhe vlerat themelore të rendit kushtetues, sundimi i së drejtës dhe ndarja e pushteteve.


Pas inicimit të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve, Kuvendi, në vend që të vepronte në përputhje me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese të shprehura në Aktvendimin për inicimin e procedurës së 24 dhjetorit 2025, kreu ulje të re të koeficienteve të pagave të gjykatësve. Për këto arsye Gjykata vendosi që me vetiniciativë të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve më 25 shkurt 2026 dhe ta anulojë atë si në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 4, nenet 51 dhe 54 dhe Amendamentin XXV të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Koeficientet për përcaktimin e pagave të gjykatësve janë ulur dy herë në vitin 2024 dhe përsëri në shkurt të vitit 2026, ku sipas Gjykatës, kjo tregon se ekziston një tendencë për uljen e vlerës reale të pagave të gjykatësve, gjë që krijon rrezik për cenimin e gjendjes së tyre materiale dhe rrjedhimisht edhe për cenimin e pavarësisë dhe mëvetësisë së gjyqësorit.