Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, do të mbajë fjalim në takimin e 9-të të nivelit të lartë të kryetarëve të gjykatave kushtetuese, gjykatave supreme dhe këshillave kushtetues në Afrikë. Në fokus të Konferencës ndërkombëtare që mbahet më 7 dhe 8 shkurt në Republikën Arabe të Egjiptit janë sfidat bashkëkohore të drejtësisë kushtetuese.
Gjykatësi Kostadinovski, do të mbajë fjalim në sesionin kushtuar pavarësisë së drejtësisë kushtetuese, ku ai do të veprojë edhe në cilësinë e përfaqësuesit dhe kryesuesit të Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese (BCCF). Në prezantimin e tij, Kostadinovski do të përqendrohet në temën: “Gjyqësori kushtetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut: Rruga nga formalizmi i përpiktë drejt konstitucionalizmit të gjallë”.
Në fokusin e diskutimeve do të jenë gjithashtu rëndësia e garancive institucionale për pavarësinë e gjykatave kushtetuese, mekanizmat për mbrojtjen e tyre nga ndikimet politike dhe të mediave, si dhe roli i gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sundimit të së drejtës.
Në konferencë do të shqyrtohen gjithashtu çështjet që lidhen me ndikimin e teknologjive të reja dhe inteligjencën artificiale në drejtësinë kushtetuese, veçanërisht në kontekstin e mbështetjes së vendimmarrjes gjyqësore, mbrojtjes së të dhënave personale dhe transformimit digjital të institucioneve kushtetuese dhe gjyqësore, si dhe çështjet që lidhen me përkufizimin e shtrirjes së kompetencës së drejtësisë kushtetuese, interpretimin kushtetues dhe marrëdhënien ndërmjet pushteteve gjyqësore, ligjvënëse dhe ekzekutive.
Në konferencë do të marrin pjesë kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave supreme, si dhe ekspertë juridikë dhe akademikë nga më shumë vende.
Në kuadër të vizitës në Egjipt, është planifikuar edhe një takim dypalësh me kryetarin e Gjykatës Supreme Kushtetuese të Republikës Arabe të Egjiptit, Bulos Fatimp Iskandar, në të cilin pritet të nënshkruhet Protokolli për bashkëpunim ndërmjet dy gjykatave.
Me këtë Protokoll, parashihet përhapja e njohurive juridike në mënyrë më të thellë dhe avancimi i teknikave të vendimmarrjes gjyqësore, vendosja e kornizës për shkëmbimin e praktikave, përvojave dhe ekspertizës gjyqësore, si dhe thellimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet dy gjykatave kushtetuese.