Këshilltarja e Gjykatës Kushtetuese, Majlinda Ismaili, ishte pjesëmarrëse në vizitën studimore dhe eventin përmbyllës së projektit: “Të drejtat e njeriut dhe mjedisi jetësor i qëndrueshëm në Evropën Juglindore” në Strasburg.
Eventi iu kushtua avancimit të zbatimit të standardeve për të drejtat e njeriut në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, me fokus të veçantë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ekzekutimin e aktgjykimeve të saj, si dhe zhvillimin e mekanizmave dhe instrumenteve të reja juridike në kuadër të Këshillit të Evropës. Në kuadër të këtij programi u shqyrtuan temat që lidhen me të ashtuquajturin Procesi i Rejkjavikut, mjedisin jetësor, Konventën për mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes së drejtës penale, si dhe rolin e Konventës së Bernës në mbrojtjen e biodiversitetit.
Qëllimi i vizitës studimore ishte përforcimi i kapaciteteve të përfaqësuesve të institucioneve nga Evropa Juglindore për zbatimin e standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor, si dhe thellimi i bashkëpunimit me organet përkatëse të Këshillit të Evropës.
Në këtë event morën pjesë përfaqësues të gjyqësorit, gjykatave kushtetuese, ministrive të drejtësisë dhe mjedisit jetësor, si dhe palë të tjera të interesuara juridike dhe institucionale nga rajoni. Fjalim mbajtën përfaqësues të lartë dhe ekspertë të Këshillit të Evropës, përfshirë përfaqësues nga Regjistri i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Departamenti për Ekzekutimin e Aktgjykimeve, Departamenti i “Procesit të Rejkjavikut” dhe Mjedisit Jetësor, Komiteti Evropian për Problemet e Krimit, Zyra e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut, si dhe ekspertë të angazhuar në kuadër të projektit.
Me pjesëmarrjen në këtë event konfirmohet përkushtimi i Gjykatës Kushtetuese në ndjekjen dhe zbatimin e standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontekstin e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe sundimit të së drejtës.
