Më 24.03.2026, në Gjykatën Kushtetuese u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën: “Inkorporimi i ankesës kushtetuese?”, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup. Në kuadër të eventit, mbajti fjalim edhe gjykatësja mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, e cila theksoi:
“Inkorporimi i padisë kushtetuese varet nga krijimi i kushteve për ndryshimin e Kushtetutës. Fatkeqësisht, kjo çështje edhe tani u raportua si lajm kryesor dhe disi sikur e zvogëloi optimizmin tonë në lidhje me atë nëse dhe kur do të inkorporohet padia kushtetuese.
Së dyti, kur do të miratohet ndryshimi i Kushtetutës, amendamenti adekuat kushtetues, duhet të parashikohen detajet ligjore, këtu përsëri arrijmë deri te çështja e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe nevoja për ndryshime edhe në këtë drejtim sa i përket Kushtetutës. Në këtë mënyrë edhe kjo gjë papritmas bëhet një pikësynim i largët që nuk e dimë se kur do të realizohet, përkatësish një kusht që nuk mund të plotësohet në të ardhmen e afërt.
Së treti, Gjykata Kushtetuese duhet të zhvillohet institucionalisht.
Së katërti, duhet të punohet në drejtim të informimit dhe edukimit të opinionit të gjerë publik dhe së pesti, duhet të hapet një debat publik me profesionistë për të siguruar mendimin e profesionistëve, pajtueshmërinë me KEDNJ-në, qëndrueshmërinë me praktikën e GJEDNJ-së dhe funksionalitetin e mekanizmit, si një mjet efektiv juridik në aspektin e standardeve evropiane. A do t’i ndërmarrim këto hapa njëkohësisht, a do të ketë ecuri në mënyrë të vazhdueshme dhe sipas cilës radhitje?; mendoj se ky është një vendim dhe çështje që duhet ta vlerësojmë mirë. Për këto arsye, siç tha Konfuci, “edhe rrugëtimi më i gjatë fillon me një hap të vetëm”, ndërsa ne, përveçse kemi bërë debate dhe diskutime mbi këtë temë, ende nuk kemi filluar, përkatësisht, jemi në fillim të rrugës për inkorporimin e padisë kushtetuese. Ajo për të cilën duhet të mendojmë është se çfarë do të bëjmë deri atëherë? Po diskutojmë lidhur me atë se cili është fushëveprimi i të drejtave dhe cilat të drejta do të dëshironim t’i shqyrtonim përmes kontrollit kushtetues-gjyqësor. Ekzistojnë mendime të ndryshme, të cilat do të bëhen relevante atëherë kur do të ulemi të vendosim se çfarë do të mbrojmë në të vërtetë me padinë kushtetuese. Deri atëherë, duhet ta dimë se ekzistojnë tri elemente të rëndësishme sa i përket miratimit të padisë kushtetuese, përkatësisht: korniza ligjore, kultura juridike dhe kapacitetet e Gjykatës Kushtetuese.
Në pjesën e kulturës kushtetuese përfshihet mënyra se si e interpretojmë nenin 110 alineja 3, ndërsa ajo i referohet tri të drejtave që janë civile-politike. Po e humbasim mundësinë që, përmes zhvillimit të kulturës juridike, ta interpretojmë në mënyrë më të gjerë pjesën e ndalimit të diskriminimit dhe kështu të përfshijmë të gjitha të drejtat. Së dyti, po e humbasim mundësinë që në pjesën lidhur me veprimin dhe bashkimin politik, përmes zhvillimit të kulturës kushtetuese-juridike të përfshijmë të gjitha të drejtat politike. Nëse do ta bëjmë këtë deri në përfshirjen formale të një fushëveprimi më të gjerë, varet nga aktivizimi i Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht nga qasja e gjykatave kushtetuese ndaj kësaj materie.
Gjithmonë ndiej nevojën për të vendosur një lloj afati kohor, në mënyrë krahasuese, për shkak se u përmend Turqia dhe ne ishim në vizitë në Turqi… për shkak të mungesës së një mekanizmi të tillë në atë vend dhe në atë rend juridik, te ata zyrtarisht është përcaktuar një periudhë kalimtare, nga viti 2010 deri në vitin 2012, me qëllim që të zbatohej gjithçka që ishte e nevojshme për të përgatitur sistemin juridik lidhur me inkorporimin e padisë kushtetuese, prandaj vetë shteti nuk kursen fjalët për t’u theksuar si shtet që ka sukses në këtë segment. Nga ana tjetër, është edhe shembulli i Kroacisë, e cila që nga viti 2001, me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e inkorporoi padinë kushtetuese dhe ajo hyri në fuqi menjëherë, pa ndonjë periudhë kalimtare. Ne jemi më afër rastit të Kroacisë sesa shembullit të Turqisë, nëse e marrim parasysh se edhe ne ashtu si Kroacia kemi sistem evropian-kontinental, kemi një përgatitje të caktuar, kemi kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, të cilat siç dëgjuam i kanë të gjitha tiparet e një padie kushtetuese, si dhe kemi këshilltarë në Gjykatë dhe gjykatës që janë të vetëdijshëm dhe e njohin praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Duke hapur debate të këtij lloji, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, mundemi shumë shpejt të përgatitemi në drejtim të inkorporimit të padisë kushtetuese sapo të krijohen parakushtet juridike, përkatësisht parakushtet normative për këtë gjë. Deri atëherë, mbetet të interpretojmë nenin 110 alineja 3, nëse dëshirojmë të përfshijmë të drejta të tjera që janë jashtë formalizmit të përpiktë dhe kufizues që është i pranishëm gjatë interpretimit të fushëveprimit të të drejtave të mbrojtura dhe të përfshira në mbrojtjen kushtetuese-gjyqësore”.
