Studentët e Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” vizituan Gjykatën Kushtetuese

Studentët e Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” vizituan Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të aktiviteteve të parashikuara në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.


Gjatë vizitës, studentët kishin mundësinë të njoftohen drejtpërdrejt me kompetencat, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rolin e saj në mbrojtjen e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut. Theks i veçantë iu kushtua procedurave për iniciativa dhe kërkesa, mënyrës së vendimmarrjes, si dhe rëndësisë së argumentimit dhe arsyetimit gjatë marrjes së vendimeve.


Studentët treguan interes të veçantë sa i përket zbatimit praktik të së drejtës kushtetuese, duke parashtruar pyetje lidhur me lëndët aktuale me interes për opinionin publik, rolin e Gjykatës në sfidat bashkëkohore shoqërore, si dhe mundësitë për inkorporimin e ankesës kushtetuese, si një instrument për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.


Në kuadër të kësaj vizite, ata u informuan edhe për aktivitetet aktuale të Gjykatës, të orientuara drejt përmirësimit të transparencës, duke përfshirë këtu edhe praktikat e reja të transmetimit publik të seancave, si një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të transparencës më të madhe dhe afrimit të punës së Gjykatës me qytetarët.


Kjo vizitë është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe bashkësisë akademike, që synon thellimin e njohurive të studentëve dhe stimulimin e interesit të tyre për gjyqësinë kushtetuese, si segment kyç i sistemit juridik.


Vizita u organizua më 7 prill 2026 në Gjykatën Kushtetuese.