Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese në vizitë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Këshillin e Evropës. Gjatë kësaj vizite, anëtarët e delegacionit u njoftuan rreth punës së këtyre institucioneve kryesore evropiane, morën pjesë në seanca dhe prezantime, si dhe u takuan me gjykatës dhe ekspertë juridik.
Delegacioni mori pjesë në seancën e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së për lëndën “Tergek v. Türkiye” (nr.39631/20) dhe u njoftua me metodat dhe procedurat e punës së Gjykatës.
Gjatë vizitës, anëtarët e delegacionit morën pjesë në trajnime mbi punën e Gjykatës, u njohën me bazën e të dhënave HUDOC dhe platformën e shkëmbimit të njohurive, si dhe me procedurat për administrimin dhe menaxhimin e rasteve. Gjithashtu, u njoftuan edhe me aktivitetet e Departamenti të Ekzekutimit të Aktgjykimeve.
Delegacioni, gjithashtu vizitoi edhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u prezantuan Programi HELP dhe puna e Zyrës së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë të gjitha aktiviteteve, anëtarët morën pjesë aktive në takime dhe prezantime, analizuan procedurat dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe morën udhëzime praktike për përmirësimin e punës së Gjykatës Kushtetuese.
Vizita u vlerësua si jashtëzakonisht produktive, me një shkëmbim të konsiderueshëm njohurish dhe përvojash dhe me një perspektivë të qartë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Këshillit të Evropës. Kjo vizitë u organizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian nëpërmjet projektit për sundimin e së drejtës dhe përforcimin e kapaciteteve, i financuar nga Programi IPA 3.
Delegacioni i Gjykatës u udhëhoq nga sekretarja e përgjithshme, mr.Violeta Gjorgjievska, shefja e Kabinetit të Kryetarit, Ljubica Gaxhovska, këshilltarët Tatjana Janjiq-Todorova, Aleksandar Llazov, Jasmina Simonovska, Marina Pellivanova-Dimovska, Hristina Bellovska dhe Larisa Millevska, si dhe ekspertët e angazhuar në projekt, udhëheqësi i ekipit (team leader) Karsten Manke, Martin Sopronov dhe Viktor Gratakos. Vizita në Strasburg u zhvillua nga data 3 deri më 7 mars 2026.



