Më 24.03.2026, në Gjykatën Kushtetuese u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën: “Inkorporimi i ankesës kushtetuese?”, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup. Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatësja e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e angazhuar në projektin e BE-së, si pjesë e këtij eventi mbajti fjalim ku deklaroi:
“Një plejadë e tërë njerëzish kanë theksuar nevojën për inkorporimin e ankesës kushtetuese dhe është e qartë se bëhet fjalë për diçka që është në sferën e politikës dhe është e pakëndshme për ne që ta diskutojmë këtë gjë nga ai aspekt. Është e qartë se nuk ekziston vullneti politik, prandaj duhet përsëri të diskutohet kur do të ekzistojë vullneti i qartë politik.
Megjithatë, do të doja të theksoja disa çështje lidhur me mbrojtjen juridike, e cila besoj se nuk është absolutisht e njëjtë me mbrojtjen para gjykatave të rregullta. Fatkeqësisht, ka shumë mendime të ndryshme dhe mendoj se nuk do të jemi në gjendje që të arrijmë në një qëndrim të vetëm se si duhet të ushtrohet mbrojtja kushtetuese-juridike. Së pari, do të theksoja disa mundësi, përkatësisht mundësinë që tashmë ekziston dhe atë se sa mundemi ne ta elaborojmë këtë çështje. GJEDNJ-ja ende nuk është prononcuar lidhur me kërkesën nëse mbrojtja e të drejtave të njeriut përmes Gjykatës Kushtetuese është e detyrueshme, përkatësisht, nëse palës duhet t’i lihet zgjedhja se cilin mjet juridik do ta përdorë; Së dyti, është edhe mendimi i Komisionit të Venecias; Së treti, janë mjetet e jashtëzakonshme juridike, të cilat në fakt, nuk janë më mjete të jashtëzakonshme juridike ashtu siç është theksuar në Akt, ndërsa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tashmë është prononcuar për një pjesë prej tyre. GJEDNJ-ja ende e ka letrën e ish-kryetarit të kësaj Gjykate, Jordan Arsov, i cili ka theksuar se Gjykata Kushtetuese në një farë mënyre është një organ subsidiar që mundet, por nuk është e detyruar të vendosë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Po mendoja se cila do të ishte zgjidhja pa pritur në njëfarë mënyre që të vijë deri te ndryshimi i Kushtetutës. Shteti ynë është nënshkrues i Protokollit, me të cilin ekziston mundësia të kërkohen mendimeve këshillëdhënëse nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe mendoj se pikërisht ky mjet juridik duhet të përdoret nga ju, si Gjykatë Kushtetuese, sepse çështjet më të larta kushtetuese-juridike janë të pazgjidhura dhe ekzistojnë shumë mendime lidhur me to, pastaj nëse marrim parasysh praktikën e deritanishme, por edhe faktin se i lihet palës të vendosë se cilin mjet juridik do ta përdorë, konsideroj se duhet të kërkoni mendime prej tyre në drejtim të mbrojtjes kushtetuese-juridike”.
