
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.86/2025
Shkup, 21.01.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 21 janar 2026, miratoi
A K T V E N D I M
- INICIOHET procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 218 të Ligjit për Përmbarim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.72/2016, 142/2016, 178/2017, 26/2018 dhe 233/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.14/2020 dhe 154/2023).
- Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Nikollçe Mitevski, avokat nga Manastiri, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 218 paragrafi 1 të Ligjit në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktvendimi.
Theksohet se dispozita është në kundërshtim me nenet 9, 11, 32 dhe 34 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Parashtruesi i kërkesës arsyeton shkeljen e neneve të cituara të Kushtetutës përmes shembullit konkret. Shembulli i referohet dy personave me 15 vjet përvojë pune, njëri prej të cilëve është i punësuar në një ndërmarrje komunale në komunë, në të cilën e ushtron të drejtën e pensionit sepse për të janë paguar kontributet e sigurimit pensional, ndërsa personi tjetër është i punësuar në një ndërmarrje komunale në komunë tjetër ku nuk mund ta ushtrojë këtë të drejtë sepse nuk janë paguar për kontributet e sigurimit pensional. Ky person i ushtron të drejtat e tij përmes gjykatave, por pavarësisht vendimit të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm, sipas dispozitës së kontestuar, përmbaruesi nuk mund të ndërmarrë veprime përmbarimore.
Në përputhje me sa më sipër, propozohet që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 218 paragrafi 1 të Ligjit për Përmbarim dhe ta shfuqizojë atë si në kundërshtim me Kushtetutën.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 218 paragrafi 1 i Ligjit për Përmbarim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.72/2016, 142/2016, 178/2017, 26/2018 dhe 233/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.14/2020 dhe 154/2023) përcakton se mbi sendet dhe të drejtat e Republikës së Maqedonisë dhe organeve të saj, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike nuk mund të kryhet përmbarimi për arkëtimin e kërkesave monetare, nëse ato janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, përkatësisht detyrave të tyre. Në paragrafin 2 të këtij neni është përcaktuar se kryetari i gjykatës në territorin e së cilës zbatohet veprimi përmbarimor do të përcaktojë se cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë dhe detyrave të debitorit, nëse gjatë zbatimit të përmbarimit palët nuk bien dakord për këtë çështje ose nëse paraqitet nevoja për një përcaktim të tillë.
III
Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në nenin 9 të Kushtetutës përcaktohet se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.
Sipas nenit 30 paragrafi 1 të Kushtetutës garantohet e drejta e pronësisë dhe e drejta e trashëgimisë. Sipas paragrafit 2 të këtij neni, pronësia krijon të drejta dhe detyrime dhe duhet të shërbejë për të mirën e individit dhe të bashkësisë. Në paragrafin 3 të këtij neni përcaktohet se askujt nuk mund t’i merret ose t’i kufizohet pronësia dhe të drejtat të cilat rrjedhin prej saj, përveçse kur kemi të bëjmë me interesin publik të përcaktuar me ligj dhe sipas paragrafit 4 të këtij neni të Kushtetutës, në rast të shpronësimit të pronës ose në rast të kufizimit të pronësisë, garantohet kompensim i drejtë, i cili nuk mund të jetë më i ulët se vlera e tregut.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet, sipas nenit 51 të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën në përputhje me nenin 110 paragrafi 1 të Kushtetutës.
Me Ligji për Përmbarim në nenin 1 paragrafi 1 përcaktohen rregullat sipas të cilave përmbaruesit veprojnë me qëllim të zbatimit me forcë të vendimit gjyqësor që ka për qëllim përmbushjen e detyrimit, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me ndonjë ligj tjetër. Me paragrafin 2 të nenit të njëjtë përcaktohet se dispozitat e këtij Ligji zbatohen edhe për përmbarimin me forcë në bazë të vendimi të miratuar në procedurë administrative që ka për qëllim përmbushjen e detyrimit monetar, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me ndonjë ligj tjetër. Ndërkohë, paragrafi 3 i të njëjtit nen përcakton se dispozitat e këtij Ligji zbatohen edhe për përmbarimin me forcë në bazë të akteve noteriale dhe dokumenteve të tjera të përmbarimit të parashikuara me ligj.
IV
Lëndë e kontestimit të iniciativës është vetëm paragrafi 1 i nenit 218 të Ligjit për Përmbarim, por Gjykata, përtej pretendimeve në iniciativë në përputhje me nenin 26 të Aktit të Gjykatës, vlerësoi edhe kushtetutshmërinë e paragrafit 2 të të njëjtit nen. Nga përmbajtja e kësaj dispozite ligjore rrjedh se me të parashikohet dhe miratohet përmbarimi mbi sendet dhe të drejtat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe organeve të saj, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike, por përcakton se përmbarimi nuk mund të kryhet për arkëtimin e kërkesave monetare, nëse ato janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarive, përkatësisht detyrave të tyre. Se cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarive dhe detyrave të debitorit, përcaktohet nga kryetari i gjykatës në territorin e së cilës kryhet veprimi përmbarimor, nëse gjatë zbatimit të përmbarimit palët nuk bien dakord për këtë çështje ose nëse paraqitet nevoja për një përcaktim të tillë.
Dispozita e kontestuar e Ligjit për Përmbarim është sistemuar në Kapitullin tetëmbëdhjetë: “Dispozita të veçanta për përmbarimin e pronës së personave juridikë me qëllim të arkëtimit të kërkesave monetare”, në seksionin 4: “Përmbarimi i sendeve të tundshme dhe të drejtave ndaj Republikës së Maqedonisë dhe organeve të saj, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike”.
Me këtë zgjidhje ligjore, ligjvënësi inkorporon ndalim të përgjithshëm dhe të paqartë sa i përket zbatimit të aktgjykimit gjyqësor mbi sendet dhe të drejtat, bazuar në një standard juridik të pacaktuar: “të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarive”, pa vendosur kritere të qarta dhe precize për mënyrën se si do të përcaktohet se cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë së organeve të Republikës, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike. Me një rregullim të tillë, aktgjykimi i plotfuqishëm gjyqësor shndërrohet në një akt deklarativ, gjë që është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.
Me nominimin në nenin 218 paragrafi 2 të Ligjit, kryetari i gjykatës në territorin e së cilës kryhet përmbarimi, ka të drejtë diskrecionale të vendosë nëse do të lejojë përmbarimin mbi kërkesat monetare të shtetit dhe subjekteve publike, të bazuara në aktgjykimet e plotfuqishme dhe të ekzekutueshme me kërkesë monetare, e cila, megjithëse nuk i nënshtrohet parashkrimit, prapëseprapë nuk siguron parashikueshmëri në ushtrimin e së drejtës së pronësisë, gjë që është në kundërshtim me sundimin e së drejtës.
Konkretisht, kërkesa e përcaktuar me aktgjykim të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm gjyqësor paraqet pronë sipas kuptimit të nenit 30 të Kushtetutës. Prandaj, duke përjashtuar ligjërisht mundësinë e përmbarimit, shteti de facto pamundëson gëzimin e kësaj të drejte, pa ofruar ndonjë mekanizëm alternativ dhe efektiv për arkëtim. Një gjendje e tillë përbën ndërhyrje disproporcionale në të drejtën e pronësisë.
Me dispozitën e kontestuar nuk parashikohet heqja ose shlyerja e detyrimeve të Republikës, si dhe të organeve të saj, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike, por me të rregullohet një regjim i veçantë përmbarimi që lejon shtyrjen e përkohshme të arkëtimit të detyruar të mjeteve monetare, deri në momentin e sigurimit të mjeteve në llogari. Kjo realisht ndikon në ushtrimin e së drejtës së pronës së kreditorëve, si dhe krijon pasigurinë lidhur me zbatimin e aktgjykimit të plotfuqishëm.
Konkretisht, ligjvënësi mund të ketë një qëllim legjitim, siç është rregullimi i zbatimit efikas të përmbarimit dhe mbrojtja e sigurisë juridike në rendin juridik, por vetë ekzistenca e një qëllimi të tillë nuk e bën dispozitën e kontestuar të pranueshme në mënyrë kushtetuese, sepse mënyra e zbatimit të saj nuk i plotëson kërkesat kushtetuese për siguri juridike.
Shteti e ka për detyrë të gjejë mekanizëm me anë të të cilit do të krijojë balancë ndërmjet interesit publik dhe ushtrimit të të drejtave të pronësisë, të përcaktuara me aktgjykim të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm gjyqësor.
Gjatë formulimit të mendimit juridik, Gjykata i mori parasysh të gjitha rrethanat me rëndësi për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, përkatësisht faktin se rendi juridik duhet të zbatohet përmes supremacisë së normës juridike, e cila duhet të jetë e qartë, precize dhe e kuptueshme, pa krijuar hapësirë për interpretim të lirë dhe zbatim jokonsekuent, që mund të çojë në shkeljen e parimit të sigurisë juridike të qytetarëve. Në këtë kontekst, siguria juridike dhe sundimi i së drejtës janë në funksion të garantimit edhe të parimit të barazisë së qytetarëve, të përcaktuar në nenin 9 të Kushtetutës.
Bazuar në analizën e dispozitave kushtetuese, duke marrë parasysh përmbajtjen e dispozitës së kontestuar të Ligjit për Përmbarim, Gjykata konstatoi se ajo është e paqartë dhe joprecize, prandaj në mënyrë të arsyeshme mund të ngrihet çështja e përputhshmërisë së saj me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 9 dhe nenin 30 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski