Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski u takua me ambasadoren e Republikës së Kroacisë. SH.T. Nives Tiganj

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, u takua me ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.S. Nives Tiganj.


Në këtë takim, kryetari Darko Kostadinovski shprehu kënaqësi të veçantë për faktin se gjykatat kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Kroacisë kanë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të shkëlqyer, të bazuar në besim të ndërsjellë dhe shkëmbim përvojash. Kryetari Kostadinovski e njoftoi ambasadoren për sfidat aktuale me të cilat përballet Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë dhe në këtë drejtim theksoi edhe përkushtimin e Gjykatës për t’i ushtruar në mënyrë konsekuente kompetencat e saj kushtetuese, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, me qëllim përforcimin e sigurisë juridike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet dhe në shtetin juridik.


Bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë jashtëzakonisht miqësore, mirëpritën bashkëpunimin dypalësh dhe theksuan rëndësinë e shkëmbimit të mëtejshëm të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet gjykatave kushtetuese, si një mënyrë për të avancuar standardet evropiane në fushën e gjykatave kushtetuese dhe sundimit të së drejtës.


Ambasadorja Tiganj, përgëzoi rolin aktiv dhe të dukshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e vlerave themelore demokratike, duke vlerësuar se një gjykatë kushtetuese e fortë, e pavarur dhe funksionale paraqet parakusht thelbësor për stabilitetin e çdo shteti demokratik, si dhe për proceset e integrimit në Bashkimin Evropian.


Me këtë takim u konfirmua gatishmëria e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe përforcimin e bashkëpunimit në fushën kushtetuese-juridike, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe vlerave demokratike evropiane.