Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, dhe ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, SH.T. Kilian Val, mbajtën fjalim në konferencën kushtuar temës: “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
Kryetari Kostadinovski, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë thelbësore të zbatimit konsekuent të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si themel i sigurisë juridike dhe besimit në institucione.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë vetëm akte ligjore, janë garanci se Kushtetuta është në funksion edhe në praktikë. Moszbatimi i tyre nënkupton minimin e drejtpërdrejtë të sigurisë juridike dhe besimit të qytetarëve në institucionet. Respektimi i vendimeve nuk duhet të lihet në diskrecion, sepse paraqet një detyrim që buron nga vetë Kushtetuta. Përvoja tregon se mekanizmi më i fortë nuk janë sanksionet, por kultura e zhvilluar kushtetuese. Në sistemet ku ka një nivel të lartë të respektimit të së drejtës, vendimet e gjykatave kushtetuese zbatohen pa rezistencë. Aty ku kjo kulturë nuk është zhvilluar mjaftueshëm, as normat më të sakta nuk garantojnë efektivitet të plotë. Prandaj, çështja e zbatimit nuk është vetëm teknike ose procedurale, është çështje e përgjegjësisë, integritetit institucional dhe maturisë sa i përket sistemit juridik”, theksoi Kryetari Kostadinovski.
Ambasadori Val, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, në fjalimin e tij u ndal në kontekstin më të gjerë të zbatimit të vendimeve gjyqësore, duke theksuar se sfidat në këtë fushë janë të pranishme në të gjithë rajonin e OSBE-së.
“Që kjo gjykatë të luajë rolin e saj të rëndësishëm, vendimet e saj duhet të zbatohen plotësisht dhe në kohë nga institucionet kompetente. Kur respektimi institucional zvarritet apo ai nuk është i plotë, pasojat janë të konsiderueshme. Qytetarët mund të vazhdojnë të përballen me shkelje të të drejtave të tyre, pasiguria juridike vazhdon të ekzistojë dhe dobësohet respektimi i sundimit të së drejtës. Autoriteti i Gjykatës nuk përfundon me vendimet e saj, por varet nga shndërrimi i tyre në realitet. Pa zbatim konsekuent, as mbrojtja e të drejtave, as sundimi i së drejtës nuk mund të sigurohen dhe të ruhen plotësisht. Dispozitat e forta ligjore janë thelbësore, por në vetvete nuk janë të mjaftueshme. Duhet të zhvillojmë një kulturë të qëndrueshme juridike që kërkon dhe siguron që çdo vendim do të zbatohet me saktësi dhe konsistencë”, deklaroi ambasadori Val.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese, ekspertë ndërkombëtarë, profesorë, si dhe përfaqësues të OSBE-së dhe ODIHR-së. Në kuadër të ngjarjes u realizuan prezantime ekspertësh nga prof.dr.Sllavica Baniq, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, si dhe nga prof.dr.Havier Felipe, profesor në Universitetin “Paris 1 Panthéon-Sorbonne”, pas të cilave vijuan panel diskutimet kushtuar sfidave institucionale, përvojave krahasuese dhe zgjidhjeve të mundshme ligjore dhe institucionale për zbatimin më efikas të vendimeve. Kjo ngjarje është pjesë e bashkëpunimit shumëvjeçar ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, të orientuar drejt përforcimit të sundimit të së drejtës dhe kapaciteteve institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.






