
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.21/2025 dhe U.nr.52/2025
Shkup, 24.12.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 38 alinetë 1 dhe 2 dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 24 dhjetor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
- INICIOHET procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024).
- HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.51/2024).
- Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Eroll Abdullai dhe Aleksandra Pallashevska nga Shkupi parashtruan dy iniciativa në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve të shënuara në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes kryetarit të saj Ivan Xholev, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të shënuar në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktvendimi.
Sipas pretendimeve në iniciativën e parë, me Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve, i miratuar më 29.02.2024 dhe i publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.51/2024, shkelen vlerat themelore të rendit kushtetues nga neni 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3, 4, 6 dhe 11 (liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura nga e drejta ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë; sundimi i së drejtës; ndarja e pushtetit shtetëror në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor; mbrojtja juridike e pronësisë dhe respektimi i normave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare; Amendamenti XXV i Kushtetutës, sipas të cilit gjykatat janë mëvetësishme dhe të pavarura, si dhe neni 32 paragrafi 3 i Kushtetutës, i cili parashikon që çdo i punësuar ka të drejtë për përfitim përkatës.
Theksohet se pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese në vitin 2024 ka vendosur të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së të njëjtit ligj (Aktvendimi U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024, i datës 15.05.2024), duke pasur parasysh praktikën gjatë vendimmarrjes lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, nevojitet që Gjykata ta rishqyrtojë këtë çështje për arsyet e mëposhtme: faktin se në disa gjykata në vend janë miratuar aktgjykime të plotfuqishme për paditë lidhur me pagën e paguar më pak, të ngritura nga gjykatësit, me të cilat është njohur e drejta e tyre lidhur me diferencën në pagën e paguar më pak për janarin e vitit 2024 dhe pagesën shtesë të kontributeve, me çka mund të konkludohet se ulja e koeficienteve në fakt përfaqëson një ulje të pagave që duhet të kishte qenë më e lartë, nëse ndryshimi i kontestuar i koeficienteve nuk do të ishte bërë; se koeficientet për pagat e gjykatësve janë përcaktuar në vitin 2007 dhe kanë qenë të pandryshuara deri në vitin 2024, kështu që kjo ka përfaqësuar një të drejtë të fituar të gjykatësve që u është shkelur pa dhënë shkaqe të arsyetuara për domosdoshmërinë e uljes së koeficienteve; që gjatë ndërhyrjes legjislative, duhet të arsyetohen faktorët nga të cilët varet vlera e pagave të gjykatësve (statusi i gjykatësit, ndërlikueshmëria e punës së gjykatësit, ngarkesa e punës, përgjegjësia e gjykatësit, rreziku në punë, dinjiteti i funksionit të gjykatësit, konfidencialiteti, pavarësia, nevoja për mbrojtje nga presionet që ndikojnë në vendimmarrje, kushtet aktuale të punës, kostot e jetesës, etj.) dhe se këta faktorë në periudhën e kaluar nuk kanë ndryshuar ose nuk janë zvogëluar, kështu që as pagat e gjykatësve nuk duhej të uleshin.
Më tej theksohet se në vitin 2022 në Kuvend është parashtruar Propozim Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve, me të cilin është parashikuar një rritje e koeficienteve për pagat e gjykatësve nga 3.22 në 4.50, me çka pranohet se pozita e gjyqësorit si një organ i pavarur dhe mëvetësishëm duhet të shoqërohet me mbështetje të përshtatshme materiale dhe financiare në përputhje me disa instrumente ndërkombëtare; se ulja e pagave të gjykatësve përfaqëson një lojë arrogante dhe joserioze me gjyqësorin nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, duke e drejtuar gjyqësorin në një drejtim të kundërt me atë që është përcaktuar në Kushtetutë dhe standardet ndërkombëtare; se ulja e koeficientit dhe e pagës është në kundërshtim me drejtimet që shteti ka marrë për të përmirësuar gjendjen e gjyqësorit, si dhe vërejtjet e faktorëve ndërkombëtarë në lidhje me gjyqësorin; se nuk është i qartë ndryshimi i drejtimit të Qeverisë, e cila, në përpjekje për të përmirësuar situatën në gjyqësor, duke e njohur gjyqësorin si një pushtet të pavarur dhe të mëvetësishëm, bën pikërisht të kundërtën në një periudhë prej dy vitesh dhe ul pagat dy herë në vitin 2024 dhe vitin 2025; se ulja e koeficienteve të pagave të gjykatësve është në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në rastin Kubat dhe të tjerë kundër Republikës Çeke (Kubat and Others v. Czech Republic), nr.61721/19, ka analizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese Çeke dhe ka theksuar se “vetëm në rrethana të jashtëzakonshme (si për shembull shteti gjendet në situatë të vështirë financiare), atëherë ndërhyrja në sigurimin material të gjykatësve mund të konsiderohet e justifikuar” dhe se “edhe në rast të ekzistimit të mundshëm të rrethanave të tilla, duhet të merret parasysh pozita e ndryshme e gjykatësve krahasuar me atë të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe nevoja që gjykatësit të ruajnë dinjitetin e tyre dhe të ruhet pavarësia e gjyqësorit”.
Sipas pretendimeve në iniciativë, nga perspektiva e parimit të ndarjes së pushtetit, ligjvënësi ka hapësirë të kufizuar kur bëhet fjalë për kufizimin e pagave të gjykatësve dhe se trajtimi i gjykatësve në të njëjtën mënyrë si zyrtarët e tjerë është i gabuar, sepse Ligji për Pagat e Gjykatësve ka qenë i lidhur me Ligjin për Pagat dhe Shpërblimet e tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar. Megjithatë, ndryshe nga ta, funksioni gjyqësor është i papajtueshëm me ushtrimin e funksioneve dhe profesioneve të tjera publike, anëtarësimin në organet administrative dhe mbikëqyrëse, anëtarësimin në një parti politike, që do të thotë se megjithëse gjykatësit nuk mund të sigurojnë të ardhura për jetesë në asnjë bazë tjetër, ata prapëseprapë marrin një pagë më të ulët se të gjithë zyrtarët e tjerë të emëruar nga Qeveria, pavarësisht dallimeve në ndërlikueshmërinë e punës dhe përgjegjësisë që në thelb është e ndryshme.
Parashtruesit e iniciativës konsiderojnë se Gjykata Kushtetuese duhet të vlerësojë nëse ulja e koeficientit të kontestuar me iniciativën në fjalë vjen si rezultat i rrethanave reale dhe objektive në shtet, ose përfaqëson një masë popullsite që është ndërmarrë për shkak të rritjes së madhe të pagave të gjykatësve që kishin mbetur të pandryshuara për disa vite. Që ndërhyrja të jetë e justifikuar, në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është e nevojshme që të ekzistojnë rrethana reale dhe objektive, nga të cilat do të rrjedhë se po flasim për masa ekonomike dhe një krizë financiare, e cila duhet të arsyetohet në Propozim – ligj dhe është e nevojshme që të ketë masa të përgjithshme kursimi për ta tejkaluar krizën ekonomike, si dhe rrethana të ngjashme që tregojnë se shteti po përballet me krizë aktuale ekonomike në të gjitha fushat. Në mungesë të rrethanave të jashtëzakonshme, veçanërisht pa miratimin e ndonjë akti që shpall gjendje të jashtëzakonshme në interes të kursimit, përkundrazi, duke pasur parasysh rritjen e pagës minimale dhe mesatare në vend, ndërhyrja e kontestuar në koeficientet për llogaritjen e pagave të gjykatësve është e pajustifikuar, veçanërisht pasi gjykatësit kanë marrë pagë më të ulët për 13 vjet. Qëndrimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është se me ulje të pagave të gjykatësve në favor të buxhetit, hapësira për kufizime të mëtejshme nga shteti është ezauruar.
Në mbështetje të pretendimit të tyre se shteti nuk është në një situatë krize që do të justifikonte uljen e pagave të gjykatësve, parashtruesit në iniciativë përmendin shembujt e mëposhtëm: në vitin 2022, Ministria e Drejtësisë ka përpiluar Propozim – ligjin me të cilin është parashikuar që koeficientet e pagave të gjykatësve të rriten nga 3.22 në 4.5; citohen të dhëna nga Strategjia Fiskale për vitet 2025-2029, e cila nuk e përshkruan vendin si një vend në kolaps ekonomik, por përkundrazi, thotë se aktiviteti ekonomik në tremujorin e dytë të vitit 2024 është përshpejtuar, duke regjistruar një rritje reale prej 2.3% në bazë vjetore; prodhimi industrial ka shënuar një rritje prej 3.8%; shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit 2024 është ulur në përputhje me rrethanat; inflacioni është ulur në 2.2% në bazë vjetore; janë siguruar mjete shtesë për pagesën e apanazheve për funksionarët; mjete për financimin e veprimtarisë radiodifuzive; mjete për financimin e aktiviteteve zgjedhore dhe partive politike; Qeveria ka planifikuar ndërtimin e akseve të autostradave dhe rrugëve në komuna; rehabilitimin e hekurudhës; gazifikimin, përmirësimin e infrastrukturës ujore; investimin e vazhdueshëm të mjeteve nga buxheti qendror për projekte kapitale të infrastrukturës në komuna deri në 250 milionë euro. Më tej thuhet se të gjithë koordinatorët kombëtarë të emëruar nga Qeveria kanë koeficiente më të larta dhe se drejtorët në organet brenda ministrive kanë koeficiente më të larta se gjykatësit; se Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka 17 këshilltarë, të cilët, pa asnjë përgjegjësi, marrin një pagë afërsisht të njëjtë me një gjykatës; se kryetarët e komunave dhe drejtorët e organeve të pavarura rregullatore dhe ndërmarrjeve publike kanë paga më të larta se gjykatësit; se pagat e avokatëve shtetërorë të popullit janë rritur; se partia në pushtet VMRO-DPMNE ka njoftuar se në Buxhetin e vitit 2025, nëpunësit e policisë do të kenë rritje të pagës; se Kryeministri ka bërë një deklaratë se do të ketë një rritje të pagave në shëndetësi dhe se në vitin 2025 pagat e të gjithë punonjësve, përveç funksionarëve, do të rriten dhe se kjo përqindje do të ulet nga viti në vit, në mënyrë që të arrijë një përqindje të barabartë me zero; që në fillim të vitit 2025, deputetët nuk e kanë votuar propozimin për uljen e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve, etj.
Gjithë këta shembuj, sipas parashtruesve të iniciativës, nuk e përfaqësojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut si një vend në prag të kolapsit ekonomik, as si një shtet në të cilin po ndërmerren masa të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse për kursim, me domosdoshmërinë e përfshirjes edhe të gjyqësorit. Ato tregojnë pamëdyshje se Qeveria nuk ka për qëllim zbatimin e masave të përgjithshme për kursim, as nuk po ndërhyn në sektorët e tjerë, dhe se në një situatë ku nëpunësit e tjerë publikë marrin paga më të larta se gjykatësit, ulja e koeficienteve, e cila në fakt ul pagat e gjykatësve, nuk mund të konsiderohet si masë e jashtëzakonshme dhe proporcionale. Përkundrazi, rrjedh se qëllimi është të ulet siguria materiale e gjykatësve, pa pasur rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin kufizimin e barabartë në raport me nëpunësit e tjerë publikë. Për parashtruesit, është e qartë se ndërhyrja e shtetit nuk ka për qëllim sigurimin e një ekuilibri të drejtë, përkatësisht balancimin e buxhetit të shtetit, siç është vlerësuar më parë nga Gjykata Kushtetuese në Aktvendimin U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024 të datës 15.05.2024.
Sipas pretendimeve në iniciativë, ndërhyrja në koeficiente, në vitin 2024 dhe përsëri në vitin 2025, është motivuar nga arsye të tjera, që synojnë zhvlerësimin e pavarësisë gjyqësore dhe uljen e dinjitetit të pushtetit gjyqësor, ajo nuk përfaqëson një zgjidhje të përkohshme ligjore, ndoshta të ndërmarrë për të arritur një qëllim specifik dhe të paraqitur qartë, por më tepër një ndërhyrje dhe dobësim afatgjatë të sigurisë materiale të gjykatësve, të shprehur përmes modaliteteve të ndryshme. Parashtruesit e iniciativës nuk pajtohen me arsyetimin e Aktvendimit U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024 të Gjykatës Kushtetuese të datës 15.05.2024, se ulja e koeficientit ka pasur karakter të përkohshëm dhe se pagat nuk janë “fiksuar” për një periudhë të pacaktuar, sepse Ligji i kontestuar nuk ka parashikuar dispozita për vlefshmëri të kufizuar, por përkundrazi koeficienti tashmë i vendosur është ulur në mënyrë afatgjatë. Deklaratat se ulja e koeficienteve do të kryhej çdo vit derisa të arrihej një përqindje e barabartë me zero, krijuan pasiguri se deri kur do të kryhej ndërhyrja dhe ulja. Pasi Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj, lejoi ndërhyrjen përmes uljes së koeficientit në vitin 2024 dhe me sa duket kështu i ka dhënë propozuesit liri të plotë. Parashtruesit parashtrojnë pyetjen se në çfarë niveli do të ulet koeficienti për pagat e gjykatësve, vetëm për të shmangur harmonizimin e pashmangshëm dhe në çfarë niveli do të sillet pushteti gjyqësor, pavarësia e tij dhe parandalimi i ndikimeve të jashtme mbi gjykatësit. Në çfarë niveli do të ulet dinjiteti dhe përgjegjësia që sjell profesioni i gjykatësve dhe nëse ulja shkon në favor të mbrojtjes së gjykatësve nga ndikimet e jashtme në vendimmarrjet e tyre. Me deklaratat për uljen e koeficientit në zero, gjykatësit dhe funksioni i tyre në shoqëri degradohen, këtu po flasim për një pikësynim më të lartë, i cili është në interes të disa prej aspiratave dhe pritjeve për shoqërinë, dhe kjo është – pavarësia objektive e gjyqësorit, përmes së cilës, një shoqëri e qeverisur nga ligji, në të cilën ekziston mirëqeverisja, sigurohet përmes një sistemi efikas që mbron të drejtat e njeriut dhe liritë civile, dhe kjo është pikërisht ajo që Gjykata Kushtetuese duhet ta mbrojë. Veprimet e shtetit nga viti 2010 deri në vitin 2023, dhe më pas në vitet 2024 dhe 2025, janë krejtësisht në kundërshtim me planin dhe vizionin që shteti ka ndërmarrë në drejtim të përmirësimit të gjendjes së gjyqësorit, i cili në fund të fundit u sjell dobi qytetarëve dhe brezave të ardhshëm, siç thuhet edhe në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit për 20 vitet e ardhshme.
Në iniciativë, parashtruesit i referohen disa dokumenteve ndërkombëtare në fushën e gjyqësorit: Mendimi nr.1 (2001) i Këshillit Konsultativ të Gjykatësve Evropianë, sipas të cilit pagat e gjykatësve duhet të jenë të përshtatshme për rolin dhe përgjegjësitë e tyre, në një nivel që do të sigurojë mbrojtje të mjaftueshme shëndetësore dhe pensionale, të garantohen nga dispozita specifike ligjore që synojnë parandalimin e uljes së tyre dhe të kenë dispozita për rritjen e tyre, në përpjesëtim me rritjen e shpenzimeve të jetesës; Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, CM/Rec(2010)12, i datës 17.11.2010, mbi pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë e gjykatësve, sipas të cilit rregullat themelore të sistemit për shpërblimin e gjykatësve profesionistë duhet të përcaktohen me ligj dhe shpërblimi i gjykatësve duhet të jetë në përpjesëtim me profesionin dhe përgjegjësitë e tyre dhe i mjaftueshëm për t’i mbrojtur ata nga stimujt që synojnë të ndikojnë në vendimmarrjet e tyre; Rekomandimi nr.R (94) 12 i Këshillit Konsultativ të Gjykatësve Evropianë, sipas të cilit pagat e gjykatësve duhet të garantohen me ligj dhe të jenë në përputhje me dinjitetin dhe përgjegjësitë e profesionit (Parimet I (2)(a)(ii) dhe III (1)(6)); Karta Evropiane e Gjykatësve, e cila njeh rolin e pagave përkatëse në mbrojtjen nga presionet që ndikojnë në vendimmarrje, pavarësinë dhe sigurimin e një rritjeje de facto të pagave në përpjesëtim me statusin, rolin dhe shpenzimet e jetesës, si dhe sipas së cilës financimi i gjyqësorit konsiderohet një parakusht themelor për pavarësinë, mëvetësinë dhe integritetin e saj, duke filluar nga buxheti gjyqësor si bazë e pavarësisë dhe autonomisë financiare, deri te pagat dhe kompensimet e tjera të gjykatësve.
Në fund të iniciativës, parashtruesit përmbledhin argumentet e tyre në formën e konkluzioneve të mëposhtme: ulja e koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve është një shkelje e drejtpërdrejtë e një të drejte të fituar dhe ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit gjyqësor; ulja është kryer pa shkaqe të arsyetuara dhe me parametra të pandryshuara që kanë qenë baza për përcaktimin e koeficientit në vitin 2007; Ulja e koeficienteve nuk është e natyrës së përkohshme; gjykatësit nuk janë dhe nuk duhet të barazohen me funksionarët e tjerë në shtet sipas funksionit të tyre; ulja e koeficienteve është në kundërshtim me planin dhe vizionin që shteti ka ndërmarrë në drejtim të përmirësimit të gjendjes së gjyqësorit.
Në bashkëngjitje të iniciativës, parashtruesit kanë dërguar: Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Gostivarit, ROZH-731/24 nga 23.01.2025; Aktgjykimet e Gjykatës Themelore të Velesit, ROZH-252/24 nga 28.01.2025 dhe RO-253/24 nga 18.12.2024; Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës, RO-470/24 nga 21.10.2024; printime të teksteve të cituara nga mediat; tekste të dokumenteve ndërkombëtare.
Të njëjtit parashtrues, Eroll Abdullai dhe Aleksandra Pallashevska, me iniciativën e dytë kontestojnë Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve, të miratuar më 27 dhjetor 2024, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024. Argumentet për kontestimin janë në thelb plotësisht identike me iniciativën e parë. Theksohet se kjo është një ulje e dytë e koeficienteve për pagesën e pagave të gjykatësve, me të cilën koeficientet e zvogëluara më parë, të cilat varionin nga 2.43 deri në 3.21, ulen përsëri dhe arrijnë nga 2.15 deri në 2.84. Me uljen e përsëritur të koeficienteve, është kryer një ulje e drejtpërdrejtë e pagave të gjykatësve. Konkretisht, para se të miratohej ky ndryshim, paga bazë bruto e një gjykatësi të një gjykate themelore me kompetencë të zgjeruar ka qenë 138,388,00 denarë (vlerë e fituar duke shumëzuar pagën mesatare bruto të paguar për vitin 2023), me ndryshimin e dytë, paga e gjykatësit është ulur me 140,00 denarë (paga mesatare bruto për vitin 2024 është 61,984,00 denarë, shumëzuar me koeficientin për një gjykatës të një gjykate themelore me kompetencë të zgjeruar 2.23, paga bruto është 138,224,00 denarë). Me këtë është shkelur nenin 2 paragrafi 2 të Ligjit për Pagat e Gjykatësve, i cili përcakton se paga e gjykatësit nuk mund të ulet me ligj ose me vendim të një organi shtetëror. Për më tepër, vlera me të cilën është ulur paga, sipas parashtruesve, nuk është me rëndësi thelbësore, ajo që është me rëndësi thelbësore është arbitrariteti i propozuesit dhe ligjvënësit i cili shkel drejtpërdrejt ligjet që ai vetë i ka miratuar.
Sipas parashtruesve, me nenin 2 të Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve të dhjetorit 2024, i cili parashikon që baza për llogaritjen e pagës për muajin janar 2025 është paga mesatare mujore e paguar për punonjës në Republikë për vitin 2023, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror për Statistikë, është kryer një shkelje shtesë e të drejtave të gjykatësve. Me këtë nen, ligjvënësi përsëri vendos një dispozitë të paqartë dhe të dyfishtë mbi metodën e llogaritjes së pagave të gjykatësve, siç ka qenë rasti më parë me dispozitën e nenit 5-a të Ligjit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi me Vendimin U.br.113/2022 të datës 21.03.2023. Me nenin 2 të Ligjit të kontestuar, ligjvënësi përcakton një bazë të re për llogaritjen e pagës së gjykatësit, duke përcaktuar që paga për muajin janar 2025 do të llogaritet sipas pagës mesatare për punonjës për vitin 2023, pavarësisht faktit se Ligji përcakton që baza është paga mesatare e paguar për vitin paraprak, që do të thotë se paga për muajin janar 2025 duhet të llogaritet saktë sipas pagës mesatare të paguar për vitin 2024, dhe jo për vitin 2023 siç është përcaktuar nga ligjvënësi. Kjo çon në një situatë në të cilën ekzistojnë dy norma, ose më saktë dy rregulla ligjore, për përcaktimin e bazës së pagës, njëra normë e përcaktuar në nenin 2 të Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve të datës 27.12.2024, dhe një tjetër, e përcaktuar në nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Pagat e Gjykatësve. Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur për këtë çështje me Vendimin U.nr.113/2022, të datës 21 mars 2023.
Në fund edhe nga kjo iniciativë, parashtruesit nxjerrin konkluzionet e mëposhtme: ligjvënësi, në një pjesë të Ligjit të kontestuar, kryen të njëjtën shkelje të konstatuar nga Gjykata Kushtetuese me Vendimin U.nr.113/2022 të 21 marsit 2023; ulja e koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtës së fituar dhe ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit gjyqësor; përveç uljes së koeficienteve, është kryer edhe një ulje reale e vlerës së pagës, ndryshe nga vlera e pagës që kanë marrë gjykatësit më parë; ulja e koeficienteve është kryer pa shkaqe të arsyetuara dhe me parametra të pandryshuara që ishin baza për përcaktimin e vlerës së koeficienteve në vitin 2007; ulja e koeficienteve nuk është e natyrës së përkohshme; gjykatësit nuk janë dhe nuk duhet të barazohen me funksionarët e tjerë në shtet sipas funksionit të tyre; ulja e koeficienteve është në kundërshtim me planin dhe vizionin që shteti e ka në drejtim të përmirësimit të situatës në gjyqësor.
Me iniciativën e dytë, parashtruesit kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024, e datës 27.12.2024) dhe t’i anulojë dispozitat e neneve 1 dhe 2 të tij.
Me iniciativën e dytë u dërguan të njëjtat shtojca si për iniciativën e parë.
Me iniciativën e tretë, të parashtruar nga Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes kryetarit të saj Ivan Xholev, kontestohet Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/24, e datës 27.12.2024). Sipas pretendimeve në iniciativë, me Ligjin e kontestuar janë ulur koeficientet për përcaktimin e pagave të gjykatësve nga 2.43 deri në 3.21 dhe nga 2.15 deri në 2.84, që do të thotë ulje e të ardhurave personale të gjykatësve dhe pengim i përshtatjes së pagave të tyre në përputhje me rritjen e përgjithshme të çmimeve, shportën e konsumit dhe rritjen e përshtatjen e pagave të punonjësve të tjerë në sektorin publik. Theksohet se Ligji i kontestuar është miratuar me procedurë të shkurtuar, pa kërkuar mendimin e ekspertëve dhe Këshillit Gjyqësor, si institucion kompetent për garantimin e pavarësisë dhe mëvetësisë së pushtetit gjyqësor. Duke ndërhyrë për herë të dytë në koeficientet për përcaktimin e pagave, bëhet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe e vazhdueshme në pavarësinë dhe mëvetësinë e pushtetit gjyqësor, duke minuar vlerat themelore të rendit kushtetues të vendit, siç është ndarja e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe sundimi i së drejtës. Duke marrë parasysh njoftimet nga pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës se një ndërhyrje e tillë në koeficiente do të kryhet çdo vit për të parandaluar rritje të mëtejshme të pagave të gjykatësve, ishte e qartë se me ndryshimet ligjore nuk do të sigurohen objektivat e ligjit të theksuara në arsyetim, as nuk do të sigurohet rregullativë ligjore e drejtë ose e qëndrueshme, as transparencë, dhe aq më pak shpërndarje e drejtë të mjeteve buxhetore.
Më tej theksohet se me ndryshimet ligjore të kontestuara shkelet gjithashtu e drejta e përfitimit përkatës nga neni 32 paragrafi 3 i Kushtetutës, që është përpunuar më tej në Ligjin për Pagat e Gjykatësve dhe që synon të sigurojë dinjitetin e funksionit të gjykatësit, rezistencën ndaj ndikimeve të mundshme të jashtme ose të brendshme në vendimmarrje. Theksohet se për të arritur mëvetësi dhe pavarësi funksionale në pushtetin gjyqësor, së pari nevojitet të ketë autonomi financiare, që nënkupton një pagë dhe shtesa përkatëse që do të rriten vazhdimisht.
Në iniciativë citohen dispozitat e dokumenteve ndërkombëtare mbi statusin e gjykatësve, siç është Rekomandimi (94)12 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare, i cili thotë se shpërblimi i gjykatësve duhet të garantohet me ligj; Mendimi nr.1(2001) i Këshillit Konsultativ të Gjykatësve Evropianë, i cili thotë se pagat e gjykatësve duhet të garantohen me dispozita të veçanta ligjore që synojnë parandalimin e uljes së tyre; Karta e Përgjithshme e Gjykatësve e miratuar nga Asambleja e Shoqatës Ndërkombëtare të Gjykatësve në Tajvan në vitin 1999; Parimet Bangalore për Sjelljen Gjyqësore, të miratuara nga Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në vitin 2003.
Në fund, theksohet se Ligji i kontestuar për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve është në kundërshtim me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare të lartpërmendura, se me të shkaktohet dëm i drejtpërdrejtë ndaj gjykatësve, i cili shprehet si pengesë për rritjen e pasurisë së tyre (humbja e fitimit të mundshëm) dhe se pasuria, sipas praktikës gjyqësore të vendosur të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshin të ardhurat personale dhe pritjet legjitime për rritjen e saj, dhe se sistemi i vendosur i ndarjes së pushteteve, sundimi i së drejtës, mëvetësia dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor e garantuar me Kushtetutë vihen në pikëpyetje. Me ndryshimin e Ligjin për Pagat e Gjykatësve kufizohet liria dhe të drejtat jashtë rasteve të parashikuara në nenin 54 të Kushtetutës, sepse për të dytin vit radhazi, pa arsyetim përkatës dhe pa shpallur gjendje lufte ose emergjence, krizë financiare ose deficit të madh buxhetor, të drejtat dhe liritë e qytetarëve kufizohen pa marrë parasysh parimin e proporcionalitetit. Kufizimet duhet të parashikohen me ligj, të jenë legjitime dhe në interes publik, por në këtë rast specifik, ky kufizim nuk është i parashikuar me ligj, është i ndaluar, qëllimi nuk është aspak legjitim dhe as nuk synon përmbushjen e interesit publik.
Për arsyet e lartpërmendura, me iniciativën propozohet që Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/24, e datës 27.12.2024), dhe më pas ta anulojë ose shfuqizojë atë. Me iniciativën gjithashtu propozohet që Gjykata të miratojë aktvendim për ndalimin e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta të ndërmarra në bazë të Ligjit të kontestuar deri në marrjen e vendimit përfundimtar, me qëllim parandalimin e pasojave që vështirë mënjanohen, të cilat mund të paraqiten në formën e shpenzimeve shtesë për buxhetin e shtetit.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.51/2024), ka përmbajtjen si në vijim:
“Neni 1
Në Ligjin për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.110/2007, 103/2008, 161/2008, 153/2009, 67/10, 97/10, 135/11, 231/15 dhe 248/18), neni 7 ndryshohet si në vijim:
“1) Koeficienti për përcaktimin e pagës së gjykatësve është nga 2.43 deri në 3.21.
2) Koeficientet nga paragrafi 1 i këtij neni përcaktohen sipas llojit të gjykatës në të cilën punon gjykatësi dhe sipas ndërlikueshmërisë së detyrave dhe autorizimeve për kryerjen e detyrave shtesë të përcaktuara në bazë të ligjit:
a) në grupin e parë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 1 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.43 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.60;
b) në grupin e dytë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 2 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.52 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.78;
v) në grupin e tretë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 3 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.78 dhe
– kryetarin e gjykatës 3.04;
g) në grupin e katërt të nenit 6 paragrafi 2 alineja 4 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.86 dhe
– kryetarin e gjykatës 3.12;
d) në grupin e pestë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 5 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.91 dhe
– kryetarin e gjykatës 3.17 dhe
f) në grupin e gjashtë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 6 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.95 dhe
– kryetarin e gjykatës 3.21.
3) Për kryetarin e gjykatës me mbi 50 gjykatës, koeficienti i pagës arrin 2.95.
4) Për kryetarin e seksionit dhe njësisë, koeficienti i përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni rritet për 0.2.
5) Për kryetarin e këshillit, koeficienti i përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni rritet për 0.1.”
Neni 2
Koeficientet nga neni 1 i këtij Ligji do të fillojnë të zbatohen me pagesën e pagës për muajin shkurt 2024.
Neni 3
Ky Ligj hyn në fuqi me ditën e publikimit tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.”
Në seancë, Gjykata konstatoi se Ligji i kontestuar për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024) ka përmbajtjen në vijim:
“Neni 1
Në Ligjin për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.110/2007, 103/2008, 161/2008, 153/2009, 67/10, 97/10, 135/11, 231/15 dhe 248/18, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.51/24), neni 7 ndryshohet si në vijim:
“1) Koeficienti për përcaktimin e pagës së gjykatësve është nga 2.15 deri në 2.84.
2) Koeficientet nga paragrafi 1 i këtij neni përcaktohen sipas llojit të gjykatës në të cilën punon gjykatësi dhe sipas ndërlikueshmërisë së detyrave dhe autorizimeve për kryerjen e detyrave shtesë të përcaktuara në bazë të ligjit:
a) në grupin e parë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 1 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.15 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.30;
b) në grupin e dytë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 2 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.23 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.46;
v) në grupin e tretë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 3 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.46 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.69;
g) në grupin e katërt të nenit 6 paragrafi 2 alineja 4 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.53 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.76;
d) në grupin e pestë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 5 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.58 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.80 dhe
gj) në grupin e gjashtë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 6 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.61 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.84.
3) Për kryetarin e gjykatës me mbi 50 gjykatës, koeficienti i pagës arrin 2.61.
4) Për kryetarin e seksionit dhe njësisë, koeficienti i përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni rritet për 0.2.
5) Për kryetarin e këshillit, koeficienti i përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni rritet për 0.1.”
Neni 2
Baza për llogaritjen e pagës për muajin janar 2025 është paga mesatare mujore e paguar për punonjës në Republikë për vitin 2023, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Neni 3
Koeficientet nga neni 1 i këtij Ligji do të fillojnë të zbatohen me pagesën e pagës për muajin shkurt 2025.
Neni 4
Ky Ligj hyn në fuqi me ditën e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.”
III
Dispozita kushtetuese
Sipas nenit 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 4 të Kushtetutës, vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë: liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë, sundimi i së drejtës dhe ndarja e pushtetit shtetëror në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Sipas nenit 52, paragrafi 4 të Kushtetutës, ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë fuqi prapavepruese, përveç përjashtimeve, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët.
Në nenin 54 të Kushtetutës parashikohet se liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarit mund të kufizohen vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë. Liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarit mund të kufizohen gjatë kohës së gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme sipas dispozitave të Kushtetutës. Kufizimi i lirive dhe të drejtave nuk mund të jetë diskriminues në bazë të seksit, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, pozitës pronësore ose shoqërore.
Sipas pikës 1 paragrafi 2 fjalia e parë e Amendamentit XXV të Kushtetutës, gjykatat janë të mëvetësishme dhe të pavarura. Ky përcaktim kushtetues specifikohet më tej në disa dispozita kushtetuese që përfaqësojnë garanci kushtetuese për mëvetësinë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor: neni 99 paragrafët 1 dhe 2 sipas të cilit gjykatësi zgjidhet për një mandat të pakufizuar kohor dhe gjykatësi nuk mund të transferohet kundër vullnetit të tij; Amendamenti XVI i cili përcakton bazat për ndërprerjen dhe shkarkimin nga detyra gjyqësore; Amendamenti XXVII i cili rregullon imunitetin e gjykatësve dhe papajtueshmërinë e funksionit gjyqësor; ndalimin e organizimit dhe aktivitetit politik në gjyqësor; Amendamenti XXVIII rregullon statusin dhe kompetencat e Këshillit Gjyqësor.
Standardet ndërkombëtare në lidhje
me pagat e gjykatësve
Rekomandimi (94)12 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës parasheh që “paga e gjykatësve duhet të garantohet me ligj” (Parimi 1.2b.2) dhe “të korrespondojë me dinjitetin e profesionit të tyre dhe barrën e përgjegjësive të tyre” (Parimi III, 1.b).
Neni 13 i Kartës Universale e Gjykatësve parasheh që një gjykatës duhet të marrë kompensim të mjaftueshëm (pagë) për të siguruar pavarësi ekonomike efektive. Paga nuk duhet të varet nga rezultatet e punës së gjykatësit dhe nuk duhet të ulet gjatë shërbimit gjyqësor të tij/saj.
E njëjta dispozitë përfshihet edhe në Kartën Evropiane mbi Statusin e Gjykatësve, sipas së cilës “pagat e gjykatësve duhet të jenë adekuate me qëllim që të sigurohet pavarësia e vërtetë ekonomike dhe se ato nuk duhet të ulen gjatë gjithë mandatit të tyre”. Në Kapitullin 6 të të saj, gjykatësit që ushtrojnë detyrën e gjykatësit në mënyrë profesionale kanë të drejtë për një pagë, vlera e së cilës përcaktohet në atë mënyrë që duhet t’i mbrojë ata nga presionet që synojnë të ndikojnë në vendimmarrjet e tyre dhe të cilat rrezikojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre.
Në Rekomandimin CM/REC(2010)12 të datës 17 nëntor 2010 mbi pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë e gjykatësve, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka sugjeruar se rregullat më të rëndësishme për sistemin e pagave të gjykatësve profesionistë duhet të përcaktohen me ligj; se pagat e gjykatësve duhet të korrespondojnë me profesionin dhe përgjegjësitë e tyre dhe të jenë të mjaftueshme për t’i mbrojtur ata nga presionet që synojnë të ndikojnë në vendimmarrjet e tyre; dhe se duhet të vendosen rregulla specifike ligjore për të mbrojtur gjykatësit nga uljet e pagave të tyre.
Këshilli Konsultativ i Gjykatësve Evropianë të Këshillit të Evropës, në Mendimin e tij nr.1, thekson se “është veçanërisht e rëndësishme për demokracitë e reja që të kenë një dispozitë specifike ligjore për të garantuar pagat e gjykatësve kundër uljes së tyre dhe për të siguruar rritje de facto të pagave në përputhje me shpenzimet e jetesës” (paragrafi 62).
Në mënyrë të ngjashme, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se shtetet duhet të ndërmarrin masa specifike për të garantuar pavarësinë e gjykatësve dhe për mbrojtjen e tyre nga çdo formë e ndikimit politik në vendimmarrjen e tyre, duke përfshirë edhe në lidhje me pagat e tyre (Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, neni 14, Komenti i Përgjithshëm nr.32, paragrafi 19).
Dispozitat ligjore relevante
Ligji për Gjykatat
Garancitë kushtetuese për pavarësinë e gjyqësorit operacionalizohen më tej në Ligjin për Gjykatat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.58/2006, 35/2008, 150/2010, 83/2018 dhe 198/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019), i cili gjithashtu parashikon garanci të caktuara që lidhen me gjendjen materiale të gjykatësve dhe pagat e tyre.
Neni 59 i Ligjit për Gjykatat parashikon që gjykatësit gëzojnë të gjitha të drejtat e punësimit që u takojnë atyre me ligj.
Me neni 60 të Ligjit për Gjykatat parashikohet që vlera e pagës së gjykatësit përcaktohet në varësi të: llojit të gjykatës, seksionit të specializuar gjyqësor (lloji i çështjeve që trajton), detyrave të brendshme në gjykatë (kryetar i: gjykatës, seksionit, njësisë dhe këshillit), përvojës gjyqësore, titujve dhe specializimit shkencor dhe profesional, si dhe rezultateve të arritura në kryerjen e funksionit gjyqësor. Sipas paragrafit 2 të këtij neni të Ligjit, paga e gjykatësit gjatë mandatit nuk mund të ulet, përveç rasteve të përcaktuara me ligj. Paragrafi 3 i të njëjtit nen përcakton se vlera e pagës së gjykatësit përcaktohet në atë mënyrë që i siguron gjykatësit mbrojtje nga presioni dhe ndikimi në veprimet dhe vendimmarrjet e tij, dhe paragrafi 4 përcakton se pagat dhe shpërblimet e tjera të gjykatësve rregullohen me ligj.
Ligji për Pagat e Gjykatësve
Një ligj i veçantë (lex specialis) është miratuar për pagat e gjykatësve- Ligji për Pagat e gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.110/2007, 103/2008, 161/2008, 153/2009, 67/2010, 97/2010, 135/2011, 231/2015, 248/2018, 51/2024, 272/2024) i cili rregullon sistemin e pagave, kompensimeve në paga, kompensimeve dhe të ardhurave të tjera të gjykatësve.
Në nenin 2 të Ligjit është përcaktuar se gjykatësi ka të drejtë për pagë përkatëse sipas rëndësisë dhe prestigjit të funksionit gjyqësor që ai kryen, peshës së punës dhe përgjegjësisë së tij. Paga e gjykatësve e përcaktuar sipas dispozitave të këtij Ligji nuk mund të ulet me ligj ose me vendim të ndonjë organi shtetëror. Paga e gjykatësit mund të ulet vetëm në rast të konstatimit të përgjegjësisë disiplinore në përputhje me ligjin.
Sipas nenit 3 të Ligjit, mjetet për pagën, kompensimet dhe të ardhurat e tjera të gjykatësve të përcaktuara me këtë ligj sigurohen nga Buxheti Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë. Pagat e gjykatësve llogariten në vlerën bruto, ndërsa paguhen në vlerën e tyre neto një herë në muaj, përkatësisht në muajin aktual për muajin paraprak më së voni më datë 15 të muajit aktual.
Neni 4 i Ligjit përcakton se vlera e pagës së gjykatësit përcaktohet në varësi të:
– llojit të gjykatës,
– seksionit të specializuar gjyqësor (lloji i lëndëve sipas të cilave vepron),
– detyrave të brendshme në gjykatë (kryetar i: gjykatës, seksionit, njësisë dhe këshillit),
– përvojës gjyqësore,
– titujve dhe specializimit shkencor dhe profesional, dhe
– rezultateve të arritura në kryerjen e funksionit gjyqësor.
Sipas nenit 5 të Ligjit, paga llogaritet duke shumëzuar bazën me koeficientin për përcaktimin e pagës. Baza për llogaritjen e pagës së gjykatësve është baza për llogaritjen e pagës për personat e zgjedhur dhe të emëruar, e përcaktuar në përputhje me Ligjin për Pagat dhe Kompensimet e tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë.
Sipas nenit 6 të Ligjit, pagat e gjykatësve përcaktohen në gjashtë grupe të shprehura në koeficiente. Përcaktimi i pagave bëhet sipas llojit të gjykatës në të cilën punon gjykatësi, si vijon:
– grupi i parë përfshin gjykatësit dhe kryetarët e gjykatave me kompetencë themelore;
– grupi i dytë përfshin gjykatësit dhe kryetarët e gjykatave me kompetencë të zgjeruar;
– grupi i tretë përfshin gjykatësit dhe kryetarët e gjykatave të apelit dhe gjykatësit në seksionin e specializuar gjyqësor të Gjykatës Themelore Shkup 1 Shkup kompetent për gjykimin e veprave penale në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit për të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë;
– grupi i katërt përfshin gjykatësit dhe kryetarin e Gjykatës Administrative;
– grupi i pestë përfshin gjykatësit dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë Administrative dhe
– grupi i gjashtë përfshin gjykatësit dhe kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë.
Koeficientet për llogaritjen e pagave të gjykatësve përcaktohen në nenin 7, kështu që koeficienti për përcaktimin e pagës së gjykatësit varion nga 2.15 në 2.84. Koeficientet nga paragrafi 1 i këtij neni përcaktohen sipas llojit të gjykatës në të cilën punon gjykatësi dhe sipas ndërlikueshmërisë së detyrave dhe autorizimeve për kryerjen e punëve shtesë të përcaktuara në bazë të ligjit:
a) në grupin e parë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 1 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.15 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.30;
b) në grupin e dytë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 2 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.23 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.46;
v) në grupin e tretë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 3 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.46 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.69;
g) në grupin e katërt të nenit 6 paragrafi 2 alineja 4 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.53 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.76;
d) në grupin e pestë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 5 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.58 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.80 dhe
gj) në grupin e gjashtë të nenit 6 paragrafi 2 alineja 6 koeficienti arrin për:
– gjykatësin 2.61 dhe
– kryetarin e gjykatës 2.84.
3) Për kryetarin e gjykatës me mbi 50 gjykatës, koeficienti i pagës arrin 2.61.
4) Për kryetarin e seksionit dhe njësisë, koeficienti i përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni rritet për 0.2.
5) Për kryetarin e këshillit, koeficienti i përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni rritet për 0.1.
IV
Qëndrime të Gjykatës
Lidhur me Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve,
të muajit shkurt 2024
Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve nga muaji shkurt 2024 u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, e cila, me Aktvendimin U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024 të 15 majit 2024, vendosi të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij. Në Aktvendim, Gjykata Kushtetuese shprehu qëndrimin se ulja e koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit, as parimin e ndarjes së pushteteve dhe theksoi si vijon: se rregullimi i pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar dhe në përgjithësi, i pagave të punonjësve në sektorin shtetëror dhe publik është një çështje ligjore dhe bie në fushën e pushtetit ligjvënës të Kuvendit; se pagat e gjykatësve, si dhe pagat në përgjithësi në sektorin publik, varen nga situata ekonomike në vend dhe ato nuk janë një kategori e pandryshueshme, kështu që ndalimi i uljes së pagave të gjykatësve nuk ka karakter absolut; se ligjvënësi, gjatë ndërhyrjes në pagat e gjykatësve, duhet të marrë parasysh rolin dhe funksionin e veçantë të gjykatave dhe rëndësinë e tyre për ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe duhet të ofrojë, ndër të tjera, garanci për pozicionin dhe statusin e gjykatësve, si dhe baza të mjaftueshme materiale në mënyrë që gjykatësit të mund të ushtrojnë funksionin e tyre gjyqësor në mënyrë të mëvetësishme dhe të pavarur. Kjo do të thotë se gjatë çdo ndërhyrjeje në pagat e gjykatësve, veçanërisht në rastin e uljes së tyre, duhet të tregohet kujdes që paga të vazhdojë të garantojë dhe sigurojë sigurinë materiale të bartësve të funksionit gjyqësor dhe që vlera e saj të përbëjë mbrojtje ndaj presioneve dhe ndikimeve të mundshme të jashtme, si dhe mbrojtje nga korrupsioni.
Sipas qëndrimit të Gjykatës të shprehur në Aktvendimin U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024 të 15 majit 2024, ulja e koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, e kryer me ndryshimet ligjore në shkurt 2024, nuk e cenoi pavarësinë dhe mëvetësinë e garantuar kushtetuese të gjyqësorit, sepse Gjykata ka vlerësuar se ligjvënësi, gjatë uljes së koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve me 13%, është kujdesur që të mos cenojë sigurinë materiale të gjykatësve dhe se vlera e pagave të tyre pas ndryshimit të Ligjit për Pagat e Gjykatësve të muajit shkurt 2024 nuk është ulur në krahasim me pagat që ata kanë marrë më parë. Gjykata ka vlerësuar se edhe me një bazë kaq të zvogëluar, për shkak të rritjes së llogaritur të pagës mesatare, gjykatësit vazhduan të merrnin një pagë që ka qenë në përputhje me statusin dhe rolin e tyre shoqëror dhe dinjitetin e detyrës gjyqësore, se me uljen e koeficienteve për llogaritjen e pagave nuk është përkeqësuar ose rrezikuar siguria materiale e gjykatësve, sepse ata edhe më tej hyjnë në grupin e funksionarëve publikë që marrin pagat më të larta në vend.
Argumentet e theksuara në iniciativën në fjalë se Gjykata Kushtetuese duhet ta rishqyrtojë këtë çështje, për shkak të faktit se pas miratimit të Aktvendimit U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024 të Gjykatës Kushtetuese, disa gjykatës kanë ngritur padi në gjykatat e rregullta për kompensim për pagën e paguar më pak, në mbështetje të të cilave janë bashkangjitur disa aktgjykime të gjykatave themelore dhe të apelit, janë të pabazuara për Gjykatën. Konkretisht, aktgjykimet e parashtruara në mbështetje të iniciativës së parashtruar nga Eroll Abdullai dhe Aleksandra Pallashevska janë kërkesa që kanë të bëjnë me kompensimin e pagës së pa pagur dhe regresin e papaguar të pushimeve dhe pagën e paguar më pak për muajin janar 2024, sepse llogaritja e pagës për këtë muaj është kryer sipas pagës mesatare të fituar për vitin 2022. Prandaj, rrjedh se ky është një rast i pagës së paguar më pak për muajin janar 2024, kur Ligji i kontestuar për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve as nuk ishte miratuar, kështu që paga e paguar më pak nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë me ndryshimet në Ligj dhe uljen e koeficienteve, as me Aktvendimin U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024 të Gjykatës Kushtetuese të 15 majit 2024.
Duke marrë parasysh se Ligji i kontestuar për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve i muajit shkurt 2024 tashmë ka qenë lëndë e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese dhe se dispozitat e këtij Ligji janë praktikisht të deroguara nga ndryshimet e mëvonshme të Ligjit, të miratuara në dhjetor të vitit 2024 me Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024), Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 2 dhe 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese për hedhjen poshtë të iniciativës së parë për shkak të “res judicata” dhe për shkak të ekzistencës së pengesave procedurale për vendimmarrje.
Lidhur me Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve,
të muajit dhjetor 2024
Në analizën e Ligjit të kontestuar për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024) me të cilin ligjvënësi përsëri, në dhjetor 2024, kreu ulje të koeficienteve të pagave të gjykatësve, Gjykata Kushtetuese mori si pikënisje dispozitat kushtetuese të lartpërmendura nga të cilat rrjedh se sundimi i së drejtës dhe ndarja e pushtetit shtetëror në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor janë vlera themelore të rendit kushtetues që janë të lidhura ngushtë me parimin e mëvetësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit. Parimi i pavarësisë së gjyqësorit në fakt bazohet dhe buron nga parimi i ndarjes së pushteteve, që nënkupton një organizim të tillë të pushtetit shtetëror në të cilin tri pushtetet – ai ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor – janë të pavarura nga njëra-tjetra, me mekanizma kontrolli që nuk lejojnë dominimin e një pushteti mbi dy pushtetet e tjerat. Me fjalë të tjera, parimi i pavarësisë dhe mëvetësisë së gjyqësorit do të thotë që gjykatësit e ushtrojnë pushtetin gjyqësor në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, gjë që nga ana tjetër është një parakusht për zbatimin e parimit të sundimit të së drejtës. Ky parim ka shumë elementë dhe aspekte, por një element veçanërisht i rëndësishëm është që ligjet duhet të jenë të vlefshme dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha subjektet, pa asnjë privilegj për individë ose grupe të caktuara. Për ta arritur këtë, një gjyqësor i mëvetësishëm dhe i pavarur është parakushti themelor, sepse vetëm gjykatësit që janë të pavarur mund të garantojnë drejtësi të paanshme dhe objektive, duke respektuar të drejtat e palëve pavarësisht se cilit grup shoqëror i përkasin. Edhe pse Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk përmban dispozita specifike për financimin e gjyqësorit dhe pagat e gjykatësve, për Gjykatën është e padiskutueshme se parimi i përgjithshëm i mëvetësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit përfshin edhe pavarësinë materiale të gjykatësve, si një aspekt i rëndësishëm i pavarësisë së gjyqësorit, kështu që çështja e pagave dhe kompensimeve të tjera që sigurojnë pavarësinë e tyre materiale përbën një element integral të pavarësisë individuale të gjykatësve.
Bazuar në këto parime themelore, në lidhje me Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve të miratuar në dhjetor 2024, Gjykata vlerësoi se ka baza për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e ndryshimeve ligjore të lartpërmendura.
Ndërkaq, duke pasur parasysh se e drejta për pagë e gjykatësve është një çështje ligjore dhe se ligjvënësi ka të drejtë të përcaktojë pagat në sektorin publik, duke përfshirë pagat e bartësve të funksioneve publike, ku bëjnë pjesë edhe bartësit e funksionit gjyqësor, Gjykata në praktikën e saj të mëparshme kushtetuese dhe gjyqësore (Aktvendimi U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024) ka shprehur qëndrimin e saj se ligjvënësi nuk ka liri absolute sa i përket shkallës deri në të cilën mund të ndërhyjë në vlerën e pagës së bartësve të funksionit gjyqësor përmes ndryshimit, përkatësisht uljes së koeficienteve. Gjykata theksoi se, gjatë rregullimit të kësaj çështjeje, veçanërisht në rast të ndërhyrjeve në vlerësimin e pagave, ligjvënësi është i lidhur në mënyrë të posaçme me parimin e pavarësisë dhe mëvetësisë së gjyqësorit të garantuar me Kushtetutë, kështu që duhet të marrë parasysh rolin dhe funksionin e veçantë të gjykatave, si dhe rëndësinë e tyre për ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe të sigurojë, ndër të tjera, garanci për pozitën dhe statusin e gjykatësve, baza përkatëse materiale në mënyrë që gjykatësit të mund të ushtrojnë funksionin e tyre gjyqësor në mënyrë të mëvetësishme dhe të pavarur. Kjo do të thotë se gjatë çdo ndërhyrjeje në pagat e gjykatësve, sidomos në rast të uljes së tyre, duhet të tregohet kujdes që paga të vazhdojë të garantojë dhe sigurojë sigurinë materiale të bartësve të funksionit gjyqësor dhe që vlera e saj të përbëjë mbrojtje ndaj presioneve dhe ndikimeve të mundshme të jashtme, si dhe mbrojtje nga korrupsioni.
Prandaj, fakti që me ndryshimet në Ligjin për Pagat e Gjykatësve në muajin dhjetor të vitit 2024, për herë të dytë në më pak se një vit, u krye ulja e koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve, sipas vlerësimit të Gjykatës, tregon se ligjvënësi nuk i ka marrë parasysh qëndrimet e shprehura të Gjykatës Kushtetuese, as nuk i ka marrë parasysh faktorët nga të cilët varen pagat e gjykatësve, siç janë roli, rëndësia e tyre shoqërore dhe nevoja që ata të mbrohen nga presionet, ndikimet e jashtme dhe nga korrupsioni me pagat e tyre, vlera e të cilave duhet t’u sigurojë atyre siguri materiale. Po ashtu nuk është marrë parasysh sidomos fakti se funksioni gjyqësor është i papajtueshëm me ushtrimin e ndonjë funksioni ose profesioni tjetër publik, gjë që i pengon përgjithmonë gjykatësit që të sigurojnë mjete për jetës në mënyra të tjetra apo përmes punës shtesë.
Ulja e sërishme e koeficienteve të pagave të gjykatësve, sipas mendimit të Gjykatës, nuk është gjithashtu në përputhje me standardet ndërkombëtare në këtë fushë, në veçanti me Kartën Evropiane mbi Statusin e Gjykatësve, sipas së cilës “pagat e gjykatësve duhet të jenë adekuate me qëllim që të sigurohet pavarësia e vërtetë ekonomike dhe se ato nuk duhet të ulen gjatë gjithë mandatit të tyre”dhe se vlera e pagës së gjykatësit duhet të përcaktohet në atë mënyrë që duhet t’i mbrojë ata nga presionet që synojnë të ndikojnë në vendimmarrjet e tyre dhe të cilat rrezikojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre, si dhe me Rekomandimin CM/REC(2010)12 të datës 17 nëntori 2010 mbi pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë e gjykatësve, në të cilin Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës sugjeroi që pagat e gjykatësve duhet të korrespondojnë me profesionin dhe përgjegjësitë e tyre dhe të jenë të mjaftueshme për t’i mbrojtur ata nga presionet që synojnë të ndikojnë në vendimmarrjet e tyre; dhe se duhet të vendosen rregulla specifike ligjore për të mbrojtur gjykatësit nga uljet e pagave të tyre. Për më tepër, Këshilli Konsultativ i Gjykatësve Evropianë të Këshillit të Evropës, në Mendimin e tij nr.1, thekson se “është veçanërisht e rëndësishme për demokracitë e reja që të kenë një dispozitë specifike ligjore për të garantuar pagat e gjykatësve kundër uljes së tyre dhe për të siguruar rritje de facto të pagave në përputhje me shpenzimet e jetesës”.
Është e padiskutueshme se gjatë vitit të kaluar ka ekzistuar një tendencë për rritje të shpenzimeve të jetesës, për shkak të cilës u shënua një rritje e pagave në pothuajse të gjithë sektorët dhe veprimtaritë, përveç pagave të bartësve të funksioneve publike, përkatësisht personave të zgjedhur dhe të emëruar, përfshirë gjykatësit. Fakti që koeficientet janë ulur për herë të dytë në më pak se një vit, sipas Gjykatës, e zvogëlon vlerën reale të pagave të gjykatësve, gjë që krijon rrezik për cenimin e gjendjes së tyre material, dhe rrjedhimisht edhe për cenimin e pavarësisë dhe mëvetësisë së gjyqësorit. Prandaj, Gjykata konsideron se pas uljes fillestare të koeficienteve për llogaritjen e pagave të gjykatësve në shkurt 2024, hapësira për ndërhyrje të mëtejshme nga ligjvënësi në pagat e gjykatësve është ngushtuar, sepse çdo ulje e mëtejshme e koeficienteve do të thotë një ulje e vlerës nominale të pagave të gjykatësve, dhe rrjedhimisht cenim i drejtpërdrejtë për pavarësinë dhe mëvetësinë e gjyqësorit dhe një ndërhyrje jokushtetuese të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv në gjyqësor. Nga standardet ndërkombëtare të përmendura më parë rezulton se pagat e gjykatësve janë të lidhura në mënyrë të ngushtë me status me prerogativat e tyre të përcaktuara të pavarësisë dhe mëvetësisë. Kjo është arsyeja pse standardet ndërkombëtare që kërkojnë mekanizma mbrojtëse kundër uljes së pagave të gjykatësve janë në funksion të mbrojtjes së këtyre prerogativave, mëvetësisë dhe pavarësisë.
Gjykata Kushtetuese, me aktvendimin U.nr.122/2024 dhe U.nr.123/2024, e vlerësoi uljen e koeficienteve të pagave të gjykatësve si një masë me natyrë të përkohshme, por, duke marrë parasysh këtë të fundit, përkatësisht uljen e sërishme të koeficienteve, rrjedh se kjo nuk është një masë e përkohshme, por më tepër një tendencë e dukshme për të ulur koeficientet që duhet të çojnë edhe në uljen e vlerës së pagave të gjykatësve, gjë që nuk mund të justifikohet nga pikëpamja e mëvetësisë dhe pavarësisë së garantuar kushtetuese të pushtetit gjyqësorë, sundimit të së drejtës dhe sigurisë juridike si element përbërës i tij. Duke marrë parasysh të lartpërmendurën, Gjykata vlerësoi se sa i përket Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 272/2024) mund të ngrihet çështja e përputhshmërisë së tij me dispozitat kushtetuese të nenit 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 4, neneve 51 dhe 54 dhe Amendamentit XXV të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me propozimin e theksuar në iniciativën e parashtruar nga Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që Gjykata të miratojë aktvendim për ndalimin e zbatimin e akteve ose veprimeve të veçanta të ndërmarra në bazë të Ligjit të kontestuar deri në miratimin e vendimit përfundimtar, Gjykata vlerësoi se nuk janë përmbushur kushtet e nenit 37 paragrafi 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, sepse shqiptimi i një mase të tillë do të çonte në pamundësinë e pagesës së pagave të gjykatësve dhe rrjedhimisht në shfaqjen e pasojave të dëmshme.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata, me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski