
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 22 tetor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
1. INICIOHET procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së:
– Vendimit për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03, blloku VVL 03.07, Komuna e Butelit dhe Komuna e Karposhit, Shkup, nr.09-6947/3, të datës 12.10.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit“, nr.19/2021);
– Vendimit për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVP 02, blloku 06, Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-6334/4, të datës 16.09.2021 (”Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.15/2021);
– Vendimit për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për Bllokun 9 të lagjes së qytetit VVL 03, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Çairit, nr.09-6334/5, të datës 16.09.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.15/2021);
– Vendimit për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit 3 06, blloku 3 06.09 Komuna e Karposhit, Shkup, nr.09-5967/7, të datës 30.08.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.13/2021);
– Vendimit për miratimin e ndryshimit të Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit QV 15-Krivi Doll blloku 1, Komuna e Karposhit – Shkup nr.09-5017/6, të datës 15.07.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.10/2021);
– Vendimit për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03 blloku 02, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Butelit, Shkup nr.09-2334/7, të datës 09.04.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.7/2021) dhe
– Vendimit për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit 304, blloku 04.02 Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-6997/8 të datës 12.11.2020 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit“, nr.20/2020).
- Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Nevena Georgievska dhe Tatjana Çakulev, të dyja nga Shkupi, parashtruan iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve të theksuara në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktvendimi.
Sipas pretendimeve, këto akte shkelin nenin 8 paragrafi 1alineja 9 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenet 5 dhe 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Personi Dimitar Orovçanec, anëtar i Këshillit të Komunës së Karposhit në mandatin 2017-2021, më 3 tetor 2020, u bë banor i Komunës së Kisella Vodës dhe në përputhje me nenin 46 paragrafi 1 alineja 6 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, mandati si anëtar i këtij organi është ndërprerë.
Kjo gjë është në kundërshtim me nenin 34 të të njëjtit Ligj, sipas të cilit Komuna e Karposhit, në përputhje me numrin e banorëve, duhet të ketë një këshill prej 23 anëtarëve.
Që nga dita kur ky këshilltar u bë banor i një komune tjetër, Këshilli ka pasur një anëtar më pak, gjë që shkel edhe të drejtën e qytetarëve për vetëqeverisje lokale, të cilën ata e ushtrojnë drejtpërdrejt ose përmes përfaqësuesve në organet e vetëqeverisjes lokale, në përputhje me nenin 5 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Si rrjedhojë, nga 3 tetori 2020 deri më 15 tetor 2021, Këshilli i Komunës së Karposhit punoi me një numër të paligjshëm anëtarësh, gjatë të cilit u miratuan edhe vendimet e kontestuara, prandaj ato janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se Këshilli i Komunës së Karposhit, në mbledhjen e mbajtur më:
– 12.10.2021, miratoi Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03, blloku VVL 03.07, Komuna e Butelit dhe Komuna e Karposhit, Shkup, nr.09-6947/3, të datës12.10.2021, i cili u publikua në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.19/2021 më 13 tetor 2021. Vendimi përmban gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”;
– 16.09.2021, miratoi Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVP 02, blloku 06, Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-6334/4 të datës 16.09.2021, i cili u publikua në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.15/2021 më 17 shtator 2021. Vendimi përmban gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”;
– 16.09.2021, miratoi Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për Bllokun 9 të lagjes së qytetit VVL 03, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Çairit, nr.09-6334/5, të datës 16.09.2021, i cili u publikua në ”Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.15/2021 më 17 shtator 2021. Vendimi përmban gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në ”Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”;
– 30 gusht 2021, miratoi Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit 3 06, blloku 3 06.09 Komuna e Karposhit, Shkup, nr.09-5967/7, të datës 30 gusht 2021, i cili u publikua në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit“, nr.13/2021 më 31 gusht 2021. Vendimi ka gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”;
– 15 korrik 2021, miratoi Vendimin për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit QV 15-Krivi Doll blloku 1, Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-5017/6 , të datës15 korrik 2021, i cili u publikua në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.10/2021 më 16 korrik 2021; Vendimi ka gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”;
– 9 prill 2021, miratoi Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03 blloku 02, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Butelit, Shkup nr.09-2334/7, të datës 09.04.2021, i cili u publikua në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.7/2021 më 12 prill 2021. Vendimi përmban gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”.
– 12 nëntor 2020, miratoi Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit 304, Blloku 04.02 Komuna e Karposhit – Shkup nr.09-6997/8, të datës 12.11.2020, i cili u publikua në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.20/2020 më datë 13 nëntor 2020. Vendimi ka gjashtë nene dhe në përputhje me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Fleteren Zyrtare të Komunës së Karposhit”.
Gjykata gjithashtu konstatoi se në hyrjen e të gjitha këtyre vendimeve thuhet se ato janë miratuar në bazë të nenit 22 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, nenit 39 paragrafi 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.199/2014, 44/2015, 193/2015, 31/2016, 163/2016, 64/2018 dhe 168/2018), ndërsa në lidhje me nenin 93 të Ligjit për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“, nr.21/2020), ku në secilin prej tyre është cekur edhe pëlqimi përkatës i lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Përveç kësaj, në nenin 4 të secilit prej vendimeve rregullohet se pjesët përbërëse të tyre janë: pjesa tekstuale (alineja 1); shtojcat grafike (alineja 2); parametrat bazë për planifikimin hapësinor (alineja 3) dhe pasqyra tabelare e parametrave urbanistike (alineja 4).
Dhe në fund, në lidhje me vendimin e fundit të kontestuar, u konstatua se Gjykata, me Aktvendimin U.nr.119/2021 të 2 shkurtit 2022, vendosi të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tij.
III
Në pajtim me nenin 2, paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sovraniteti buron nga qytetarët dhe u takon qytetarëve, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ushtrojnë pushtetin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet referendumit dhe formave të tjera të deklarimit të drejtpërdrejtë.
Sipas nenit 8 paragrafi 1alinetë 3 dhe 9 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës dhe vetëqeverisja lokale janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas nenit 114 paragrafi 1 të Kushtetutës, qytetarëve u garantohet e drejta e vetëqeverisjes lokale.
Pika 1 e Amendamentit XVII të Kushtetutës parashikon që në njësitë e vetëqeverisjes lokale, qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet përfaqësuesve marrin pjesë në vendimmarrje për çështje me rëndësi lokale, e veçanërisht në fushat e shërbimeve publike, urbanizmit dhe planifikimit rural, mbrojtjes së mjedisit jetësor, zhvillimit ekonomik lokal, financimit lokal, veprimtarive komunale, kulturës, sportit, mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, arsimit, mbrojtjes shëndetësore dhe në fushat e tjera të përcaktuara me ligj.
Sipas nenit 7 paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.202/2024), komuna e rregullon ushtrimin e kompetencave të saj me statut dhe rregulla të tjera.
Me statutin e komunës rregullohen: organizimi dhe puna e organeve komunale, organizimi dhe puna e komiteteve të këshillit; kryerja e punëve nga neni 20 i këtij Ligji; mënyra e informimit të qytetarëve; rastet e përjashtimit të publikut nga mbledhjet e këshillit; mënyra dhe procedura për paraqitjen e parashtresave dhe propozimeve në lidhje me punën e organeve komunale dhe veprimin e tyre lidhur me to; mënyra e organizimit të tribunave publike, zhvillimi i anketave dhe mbledhja e propozimeve nga qytetarët; mënyra e kryerjes së detyrimeve në fushën e mbrojtjes gjatë gjendjes së luftës, si dhe çështje të tjera me rëndësi për vetëqeverisjen lokale, sipas paragrafit 2 të këtij neni.
Në nenin 34 të këtij Ligji parashikohet që numri i anëtarëve të këshillit përcaktohet në varësi të numrit të banorëve në komunë dhe nuk mund të jetë më pak se nëntë dhe as më shumë se 33 anëtarë, edhe atë në komunë: deri në 5,000 banorë – nëntë anëtarë; nga 5,001 deri në 10,000 banorë – 11 anëtarë; nga 10,001 deri në 20,000 banorë – 15 anëtarë; nga 20,001 deri në 40,000 banorë – 19 anëtarë; nga 40,001 deri në 60,000 banorë – 23 anëtarë; nga 60,001 deri në 80,000 banorë – 27 anëtarë; nga 80,001 deri në 100,000 banorë – 31 anëtar; mbi 100,000 banorë – 33 anëtarë.
Neni 39 paragrafi 4 i të njëjtit Ligj përcakton se dita, ora dhe vendi i mbledhjeve të këshillit, si dhe rendi i ditës i propozuar për t’u diskutuar, duhet të publikohen më së voni shtatë ditë para ditës së mbledhjes, në mënyrën e përcaktuar me statut.
Në pajtim me nenin 41 paragrafi 1 të këtij Ligji, këshilli mund të punojë nëse në mbledhje marrin pjesë shumica e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.
Këshilli punon në mbledhje, sipas nenit 42 paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa paragrafi 2 i të njëjtit nen përcakton se mbledhjet e këshillit janë publike.
Sipas paragrafit 3 të këtij neni, përjashtimi i publikut nga mbledhja vendoset nëse ka arsye të justifikuara për këtë, të përcaktuara me statut, me shumicë votash prej dy të tretash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit.
Paragrafi 4 i të njëjtit nen përcakton se publiku nuk mund të përjashtohet nga debati për buxhetin komunal, llogarinë vjetore të buxhetit dhe planet urbanistike.
Neni 43, paragrafi 1 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale përcakton se anëtarët e këshillit kanë të drejtë dhe detyrë të jenë prezent dhe të marrin pjesë në punën e këshillit dhe të komisioneve të tij të përhershme ose të përkohshme.
Gjithashtu, sipas nenit 38 paragrafi 9 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.199/2014, 44/2015, 193/2015, 31/2016, 163/2016, 64/2018 dhe 168/2018), plani urbanistik konsiderohet i miratuar nëse të paktën 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit të komunës, komunës në Qytetin e Shkupit ose Qytetit të Shkupit kanë votuar vendimin për miratimin e planit urbanistik, dhe nëse numri i tyre nuk është më i vogël se numri i anëtarëve të këshillit të komunës, komunës në Qytetin e Shkupit ose Qytetit të Shkupit që votuan kundër vendimit për miratimin e planit urbanistik.
Dhe në fund, neni 93 i Ligjit për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.32/2020, 111/2023, 73/2024-interpretim autentik, 171/2024, 224/2024, 40/2025, 101/2025 dhe 127/25), përcakton se procedurat e filluara për miratim, si dhe procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e planeve urbanistike, për të cilat është miratuar një program planifikimi deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, do të vazhdojnë në përputhje me dispozitat e ligjeve sipas të cilave kanë filluar ato.
IV
Lidhur me pretendimet në iniciativë, si dhe çështjet e tjera të ngritura në kuadër të procedurës paraprake, Gjykata, bazuar në dokumentacionin e parashtruar dhe përgjigjet nga Komuna e Karposhit, konstatoi gjendjen faktike siç pasqyrohet më poshtë në këtë pikë të Aktvendimit.
Personi Dimitar Orovçanec, u zgjodh këshilltar në Këshillin e Komunës së Karposhit për mandatin 2017-2021. Me kërkesë të sekretarit të Komunës me nr.21-7018/1 nga data 15.10.2021, këtij këshilltari iu kërkua të paraqiste letërnjoftimin, me qëllim që të përcaktohej se kur është bërë ndryshimi i adresës së tij të banimit. Në këtë drejtim, këshilltari, më 19.10.2021, paraqiti një njoftim se kishte ndryshuar adresën e tij një vit më parë dhe jeton në Komunën e Kisella Vodës. Njoftimit ia bashkëngjiti kopjen e letërnjoftimit me datën e lëshimit 03.10.2020.
Nga dokumentacioni, nuk mund të përcaktohet saktësisht se në cilën ditë është ndryshuar vendbanimi. Sipas shkresës së sekretarit të Komunës së Karposhit drejtuar Sektorit të Çështjeve Financiare me nr.21-7018/3 të datës 28.10.2021, data e saktë është 03.10.2020, respektivisht, data kur këtij personi i është lëshuar letërnjoftimi i ri nga MPB-ja.
Si pasojë, përgjigja e kryetarit të Komunës së Karposhit përcakton periudhën duke filluar nga 3 tetori 2020, deri në mbledhjen e fundit të përbërjes së Këshillit të mandatit 2017-2021.
Megjithatë, në përputhje me nenin 3-a të Ligjit për Paraqitjen e Vendbanimit dhe Vendqëndrimit të Qytetarëve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.36/1992, 12/1993, 43/2000, 66/2007, 51/2011, 152/2015, 55/2016 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.302/2020, 67/2022 dhe 209/2023), pas ndryshimit të vendbanimit, përkatësisht ndryshimit të adresës së banesës në territorin e komunave të ndryshme, Ministria e Punëve të Brendshme do të miratojë aktvendim brenda 15 ditëve nga dita e paraqitjes së kërkesës nga paragrafi 1 i këtij neni. Aktvendimi mund të lëshohet edhe në formën e një dokumenti elektronik, i cili dërgohet në profilin e qytetarit në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike ose nëpërmjet dërgesës së rekomanduar, të kualifikuar në adresën elektronike të shënuar nga parashtruesi, në përputhje me rregullat nga sfera e menaxhimit elektronik dhe shërbimeve elektronike nga sfera e dokumenteve elektronike, identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara.
Një akt (aktvendim) i tillë, i cili parashikohet me Ligj, nuk ishte pjesë e shkresave të lëndës, prandaj nuk mund të përcaktohet me saktësi dita kur këshilltari ka ndryshuar vendbanimin e tij.
Megjithatë, duhet të merret parasysh edhe fakti që vetë këshilltari ka paraqitur një Deklaratë/Njoftim në Komunë me datën e pranimit 19.10.2021 me nr.21-7018/2, ku, ndër të tjera, thuhet se për shkak të zhvendosjes, vendbanimi i tij në Komunën e Karposhit ka përfunduar një vit më parë, prandaj ai e ka ndryshuar adresën e banimit në letërnjoftimin e tij.
Gjithashtu, në lidhje me vendimet e kontestuara, më e vjetra sipas datës është miratuar më 12 nëntor 2020, për të cilën datë nuk ka asnjë kontest se në atë kohë, ky këshilltar tashmë ishte banor i Komunës së Kisella Vodës, përkatësisht i një komune tjetër.
Rrjedhimisht, për Gjykatën është e padiskutueshme se gjatë miratimit të të gjitha vendimeve të kontestuara, këshilltari Dimitar Orovçanec nuk ka qenë banor i Komunës së Karposhit.
Sa i përket Këshillit Komunal, u konstatua se mbledhja e fundit në mandatin 2017-2021 është mbajtur më 12 tetor 2021, e cila i paraprin dërgimit të njoftimit të këshilltarit Dimitar Orovçanec, të datës 19 tetor të vitit të njëjtë.
Këshilli, deri në skadimin e mandatit të tij, nuk ka konstatuar në mbledhje se mandati i këshilltarit Dimitar Orovçanec është ndërprerë për shkak se ai është bërë banor i një komune tjetër.
Për më tepër, ky këshilltar, në periudhën nga 03.10.2020 deri më 12 tetor 2021, ka marrë pjesë në punën e të gjitha 19 mbledhjeve të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtura gjatë kësaj periudhe dhe ka votuar gjatë miratimit të të gjitha vendimeve të kontestuara.
Lidhur me numrin e këshilltarëve, në përputhje me nenin 1 paragrafi 1 nën v) pika 75 e Vendimit për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave të komunave të republikës së maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.54/2004 dhe 17/2013) dhe në lidhje me nenin 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për zgjedhjet lokale në vitin 2017, është përcaktuar që Këshilli i Komunës së Karposhit të ketë 23 këshilltarë.
Në mbledhjen konstituive të Këshillit të Komunës së Karposhit për përbërjen e re për mandatin 2021-2025, këshilltarja Nevena Georgievska ka kërkuar anulimin e të gjitha akteve nga përbërja paraprake, duke filluar nga 1 tetori 2020, përfshirë edhe mbledhjen e fundit të mbajtur më 12 tetor 2021.
Baza për këtë ishte shkelja e nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit numri i këshilltarëve duhet të ishte 23 e jo 22, duke marrë parasysh se vendbanimi i këshilltarit Dimitar Orovçanec në atë komunë kishte përfunduar.
Gjykata konstatoi se kryetari i Komunës së Karposhit, me shkresën nr.11-7018/7, të datës 17.11.2021, ka kërkuar interpretimin autentik të nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale në lidhje me nenin 46 paragrafi 1 alineja 6 të ligjit të njëjtë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në kërkesë thuhet se në mbledhjen konstituive të Këshillit të Komunës së Karposhit, pas përfundimit të rendit të ditës, këshilltarja Nevena Georgievska mori fjalën me kërkesë për anulimin e të gjitha akteve të Këshillit të Komunës së Karposhit për periudhën nga 1 tetori 2020 deri në mbledhjen e fundit të mbajtur më 12 tetor 2021 (mandati 2017-2021), për shkak të shkeljes së nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit Këshilli i Komunës së Karposhit duhet të ketë 23 këshilltarë. Për këto arsye konsiderohet se Këshilli i Komunës ka qenë i pavlefshëm si organ kolektiv me 22 anëtarë dhe se të gjitha vendimet që u miratuan gjatë kësaj periudhe duhet të anulohen.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e pesëdhjetë e nëntë, të mbajtur më 27 dhjetor 2021, e ka shqyrtuar kërkesën për interpretim autentik dhe ka miratuar konkluzion, sipas të cilit kërkesa nuk është arsyetuar dhe si rrjedhojë nuk është konsideruar e nevojshme dhënia e interpretimit autentik, për arsyet e paraqitura në Raportin e Komisionit Juridik-Ligjvënës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në raportin e këtij trupi të punës së Kuvendit me nr.11-5436/2 të datës 23 dhjetor 2021, përveç dispozitave përkatëse të cituara të disa ligjeve, theksohet si në vijim: “Duke marrë parasysh dispozitat ligjore të lartpërmendura, del qartë se që një person të jetë anëtar i një këshilli, ai person duhet të jetë banor i komunës, në këshillin e së cilës ai person është anëtar. Nëse ai person, si anëtar i këshillit, përfundon së qeni banor i asaj komune, atëherë mandati i tij ndërpritet sipas fuqisë së ligjit. Nëse ekziston një rast i këtillë, atëherë këshilli vetëm konstaton arsyen dhe datën e ndërprerjes së mandatit të anëtarit të këshillit, e cila sipas Ligjit përcaktohet si dita kur është plotësuar kushti për ndërprerjen e mandatit të anëtarit të Këshillit në nenin 46 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Në këtë rast, konstatimi i ndërprerjes së mandatit të anëtarit të këshillit është i domosdoshëm në mënyrë që kandidati tjetër në listë të mund të bëhet anëtar i këshillit për pjesën e mbetur të mandatit”.
Sa i përket miratimit të akteve të kontestuara, shumicës me të cilën janë miratuar ato dhe publikimit të tyre, Gjykata konstatoi se të gjitha aktet janë miratuar në mbledhjet e Këshillit të mbajtura onlajn, nëpërmjet platformës “ZUM (ZOOM)”, siç vijon :
– Vendimi për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03, blloku VVL0 3.07, Komuna e Butelit dhe Komuna e Karposhit, Shkup, nr.09-6947/3, i datës 12.10.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit“, nr.19/2021) është shqyrtuar si propozim në pikën e parë të rendit të ditës të mbledhjes së gjashtëdhjetë e tretë (të jashtëzakonshme) të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtur më 12 tetor 2021 dhe është miratuar në të njëjtën mbledhje. Në Draft Procesverbalin e kësaj mbledhje theksohet se të pranishëm ishin 23 këshilltarë, ku 13 këshilltarë kanë votuar “pro”, tre këshilltarë kanë votuar “kundër” dhe nuk ka pasur “abstenime”;
– Vendimi për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVP 02, blloku 06, Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-6334/4, i datës 16.09.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.15/2021) është shqyrtuar në mbledhjen e gjashtëdhjetë e një të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtur më 16 shtator 2021 dhe është miratuar në të njëjtën mbledhje. Në faqen e parë të Procesverbalit të kësaj mbledhje, thuhet se mbledhja ka filluar me 18 këshilltarë të pranishëm dhe pesë kanë munguar. Pesë minuta pas fillimit të mbledhjes, katër këshilltarët janë kyçur. Këshilltari i fundit i 23-të është kyçur pas pikës së tretë. Vendimi i kontestuar u konsiderua si propozim-vendim sipas pikës së parë të rendit të ditës, që do të thotë se gjithsej 22 këshilltarë kanë qenë të pranishëm, ku gjatë miratimit, 13 këshilltarë kanë votuar “pro”, pesë këshilltarë kanë votuar “kundër” dhe katër këshilltarë kanë “abstenuar”;
– dimi për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për bllokun 9, për lagjen e qytetit VVL 03, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Çairit, Shkup, nr.09-6334/5, i datës 16.09.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.15/2021) është shqyrtuar si propozim-vendim në pikën e dytë të rendit të ditës të mbledhjes së gjashtëdhjetë e një të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtur më 16 shtator 2021 dhe është miratuar në të njëjtën mbledhje. Sipas procesverbalit të mbledhjes, të pranishëm kanë qenë 23 këshilltarë, ku gjatë miratimit 14 këshilltarë kanë votuar “pro”, pesë këshilltarë kanë votuar “kundër”, tre kanë “abstenuar” dhe një anëtar i Këshillit nuk ka votuar;
– Vendimi për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit 3 06, Blloku 3 06.09 Komuna e Karposhit, Shkup, nr.09-5967/7, i datës 30.08.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.13/2021) është shqyrtuar si propozim-vendim në pikën e dytë të rendit të ditës të mbledhje së gjashtëdhjetë të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtur më 30 gusht 2021 dhe është miratuar në të njëjtën mbledhje. Të gjithë 23 këshilltarët kanë qenë të pranishëm, ku gjatë miratimit 13 këshilltarë kanë votuar “pro”, gjashtë këshilltarë kanë votuar “kundër” dhe katër kanë “abstenuar”;
– Vendimi për miratimin e ndryshimit të Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit QV15-Krivi Doll, blloku 1, Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-5017/6, i datës 15.07.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.10/2021), është shqyrtuar si propozim në pikën e tretë të rendit të ditës të mbledhje së pesëdhjetë e tetë të Këshillit të Komunës së Karposhit dhe është miratuar në të njëjtën mbledhje, ku 13 këshilltarë kanë votuar “pro”, një këshilltar “kundër” dhe tetë kanë “abstenuar”, që do të thotë se gjatë votimit kanë qenë të pranishëm gjithsej 22 këshilltarë. Në procesverbalin e kësaj mbledhje në faqen e parë qëndron se të gjithë 23 këshilltarët kanë qenë të pranishëm, ndërsa në fletën e evidentimit për këtë pikë të rendit të ditës qëndron se kanë votuar gjithsej 22 këshilltarë, ndërsa nuk jepet asnjë informacion për këshilltarin numër 16 nëse ka qenë i pranishëm;
– Vendimi për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 3, blloku 02, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Butelit, Shkup, nr.09-2334/7, i datës 09.04.2021 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.7/2021) është shqyrtuar si propozim në pikën e katërt të mbledhjes së pesëdhjetë e pestë të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtur më 9 prill 2021 dhe është miratuar në të njëjtën mbledhje. Gjatë votimit kanë qenë të pranishëm gjithsej 23 këshilltarë, 13 këshilltarë kanë votuar “pro”, shtatë këshilltarë kanë votuar “kundër” dhe tre këshilltarë kanë “abstenuar”, dhe
– Vendimi për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për Lagjen e Qytetit 304, Blloku 04.02, Komuna e Karposhit – Shkup, nr.09-6997/8, i datës 12.11.2020 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.20/2020) është shqyrtuar si propozim në pikën e katërt të rendit të ditës të mbledhjes së dyzet e tetë të Këshillit të Komunës së Karposhit, të mbajtur më 12 nëntor 2020. Sipas Procesverbalit të kësaj mbledhje, të pranishëm kanë qenë gjithsej 23 këshilltarë, 13 këshilltarë kanë votuar “pro”, dy këshilltarë kanë votuar “kundër” dhe tetë këshilltarë kanë “abstenuar”.
Për më tepër, të gjitha vendimet e kontestuara janë miratuar me shumicë të përcaktuar me ligj dhe në këto mbledhje kanë pasur edhe kuorumin e nevojshëm për punën dhe vendimmarrjen e Këshillit në përputhje me nenin 41 paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Përveç kësaj, këshilltari Dimitar Orovcanec ka votuar për miratimin e të gjitha vendimeve të kontestuara, duke deklaruar se është “pro” miratimit të tyre për secilin prej tyre.
Dhe në fund, të gjitha vendimet e kontestuara janë publikuar në Fletoren Zyrtare të Komunës, brenda afateve kushtetuese dhe ligjore.
Në kuadër të procedurës paraprake, si çështje relevante është shtruar edhe pyetja për ekzistimin e bazës ligjore sa i përket mbajtjes së mbledhjeve onlajn të Këshillit të Komunës së Karposhit gjatë kohës së miratimit të vendimeve të kontestuara.
Sipas përgjigjes së kryetarit të Komunës Karposh, me nr.11-152/2, të datës 02.02.2022 (faqja 5), baza ligjore për mbajtjen e mbledhjeve onlajn të Këshillit është Urdhëresa me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, është Vendimi për punën e Këshillit të Komunës së Karposhit me përdorimin e mjeteve të komunikimit, i miratuar nga ky organ i Komunës.
Nga ana e Gjykatës është konstatuar se mundësia e mbajtjes së mbledhjeve onlajn të këshillave të komunave dhe Qytetit të Shkupit u ofrua me Urdhëresën me fuqi ligjore për ndryshimin e Urdhëresës me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.95/2020), të publikuar më 8 prill 2020, i cili hyri në fuqi po atë ditë.
Ndër të tjera, me këtë Urdhëresë me fuqi ligjore plotësohet Urdhëresa me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.84/2020), duke shtuar një nen të ri 2-b.
Në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni, kryetari i këshillit mund të thërrasë dhe të kryesojë një mbledhje të këshillit dhe të përdorë mjete komunikimi (telefon ose lidhje konferenciale përmes komunikimit në internet dhe mjeteve softuerike).
Votimi i këshillit përmes përdorimit të mjeteve të komunikimit realizohet përmes deklarimit nominal të secilit prej anëtarëve të këshillit që janë paraqitur në mbledhje, sipas paragrafit 3 të këtij neni.
Dhe sipas paragrafit 4 të të njëjtit nen, për rrjedhën e mbledhjes së këshillit me përdorimin e mjeteve të komunikimit, detyrimisht përpilohet procesverbal, i cili publikohet në ueb faqen e komunës dhe të Qytetit të Shkupit.
Më vonë, me nenin 1 të Urdhëresës me fuqi ligjore për plotësimin e Urdhëresës me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.169/2020), Urdhëresa plotësohet me një nen të ri 2-d, sipas të cilit dispozitat e neneve 2-a, 2-b dhe 2-c të kësaj Urdhërese me fuqi ligjore do të zbatohen gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme deri më 31 dhjetor 2020.
Vendimi për punën e Këshillit të Komunës së Karposhit me përdorimin e mjeteve të komunikimit është miratuar nga Këshilli i Komunës së Karposhit në mbledhjen e mbajtur më 28 dhjetor 2020.
Në pajtim me nenin 6 të tij, hyn në fuqi në ditën e miratimit dhe zbatohet nga data 01.01.2021. Në hyrje të këtij vendimi thuhet se është miratuar në bazë të nenit 36 paragrafi 1 pika 1 dhe nenit 62 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si dhe sipas nenit 36 të Rregullores së Këshillit të Komunës së Karposhit.
Në këtë drejtim, sipas datës së miratimit të vendimeve të kontestuara, është përcaktuar se vetëm vendimi i shtatë (i fundit i kontestuar) është miratuar gjatë zbatimit të dispozitës së nenit 2-b paragrafi 1 të Urdhëresës me fuqi ligjore, ndërsa të gjitha të tjerat janë miratuar gjatë vlefshmërisë së Vendimit për punën e Këshillit të Komunës së Karposhit me përdorimin e mjeteve të komunikimit.
Dhe në fund, në këtë nen përcaktohet se gjendja e jashtëzakonshme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfundoi më 22 qershor 2020 në përputhje me Vendimin për përcaktimin e ekzistencës së gjendjes së jashtëzakonshme (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.159/2020), të miratuar nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, në përputhje me pikën I të këtij vendimi, ekzistenca e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përcaktohet për një periudhë prej 8 ditësh, ndërsa sipas pikës V të të njëjtit akt, vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” (Vendimi u publikua më 15 qershor 2020).
Për më tepër, si fakt juridikisht relevant në lidhje me çështjen se cili ligj duhej të zbatohej gjatë miratimit të vendimeve të kontestuara, është momenti kur ka filluar procedura në përputhje me ligjin, për miratimin e secilit plan prej planeve urbanistike të vendimeve të kontestuara.
Kështu, në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit të parashtruar, u konstatua se evidentimi i programit të planifikimit te: vendimi i parë i kontestuar është i datës 07.04.2020 me nr.ark.45-2230/3; vendimi i dytë i kontestuar është i datës 18.09.2018 me nr.ark.11-5747/4; vendimi i tretë i kontestuar është i datës 14.08.2019 me nr.ark.24-6791/3; vendimi i katërt i kontestuar është i datës 30.03.2020 me nr.ark.11-1406/4; vendimi i pestë i kontestuar është i datës 27.07.2018 me nr.ark.11-4485/4; vendimi i gjashtë i kontestuar është i datës 07.04.2020 me nr.ark.45-2229/5 dhe vendimi i shtatë i kontestuar është i datës 26.02.2020 me nr.ark.45-1528/5.
Duke marrë parasysh datat e vërtetuara të evidentimit të programeve të planifikimit se kur janë miratuar ato, rrjedh se Ligji për Planifikimin Hapësinor dhe Urbanistik është ligji sipas të cilit duhej të ishin miratuar vendimet e kontestuara.
Më pas, duke marrë parasysh se në përputhje me këtë Ligj, gjatë rregullimit të përfshirjes së planit që mbulon sipërfaqen e dy ose më shumë komunave, përveç vendimit për miratimin e planit urbanistik nga Këshilli i Komunës së Karposhit, duhet të miratohet edhe vendimi nga këshilli i komunës, sipërfaqja e së cilës është gjithashtu pjesë e asaj fushe të planifikimit, me ç’rast u përcaktua se me:
– vendimin e parë të kontestuar, Këshilli i Komunës së Butelit, në mbledhjen e mbajtur më 23.09.2021, miratoi Vendim për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03, blloku VVL 03.07, Komuna e Butelit dhe Komuna e Karposhit, Shkup, periudha e planifikimit 2020-2025 me nr.08-1573/3, më 23.09.2021;
– vendimin e tretë të kontestuar, nga Këshilli i Komunës së Çairit në mbledhjen e mbajtur më 22.09.2021, u miratua Vendim për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për bllokun 9 të lagjes së qytetit VVL 03, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Çairit (periudha e planifikimit 2019-2024) me nr.08-1653/3, më 22.09.2021 dhe
– vendimin e gjashtë të kontestuar, nga Këshilli i Komunës së Butelit në mbledhjen e mbajtur më 27.04.2021, u miratua Vendim për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e qytetit VVL 03 blloku VVL 03.02, Komuna e Karposhit dhe Komuna e Butelit – Shkup, periudha e planifikimit 2020-2025, propozim-plani përfundimtar sipas nr.ark.08-649/5, më 27.04.2021.
Gjykata, gjithashtu konstatoi se në procedurat për miratimin e të gjitha vendimeve të kontestuara, u morën vendime për të mos zbatuar vlerësim strategjik dhe për secilin prej tyre u paraqitën dëshmi se janë publikuar në ueb faqen e Komunës me qëllim që t’u mundësohej qytetarëve të parashtronin ankesë, duke respektuar kështu procedurën ligjore.
Gjithashtu, u konstatua se në kuadër të procedurave të njëjta, janë respektuar dispozitat ligjore në lidhje me çështjen nëse brenda kufijve të këtyre planeve urbanistike ekziston ndonjë sipërfaqe me tërësi monumentale, e shpallur me ligj ose me ndonjë akt tjetër, e mbrojtur si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë dhe nëse kjo tërësi monumentale përfshin sipërfaqen e një ose disa komunave të tjera dhe në rast se po, nëse këshillat e komunave në sipërfaqen e të cilave ndodhet kjo tërësi monumentale, kanë miratuar gjithashtu plane urbanistike përkatëse.
Në fund, sipas Gjykatës, si fakt juridikisht relevant është edhe nëse ka pasur qasje publike gjatë miratimit të vendimeve të kontestuara, duke pasur parasysh se neni 42 paragrafi 4 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale parashikon që publiku nuk mund të përjashtohet nga debati për buxhetin komunal, llogarinë vjetore të buxhetit dhe planet urbanistike.
Nga dokumentacioni i parashtruar, është e padiskutueshme se të gjitha mbledhjet në të cilat janë miratuar vendimet e kontestuara janë mbajtur onlajn përmes platformës “ZUM (ZOOM)”. Për më tepër, nuk ka dëshmi se këto mbledhje kanë qenë në dispozicion për publikun në kuptimin që ato të mund të ndiqeshin drejtpërdrejt nga qytetarët.
Nga procesverbalet e këtyre mbledhjeve, u konstatua se përveç anëtarëve të Këshillit, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, sekretari i Komunës, përfaqësues të administratës komunale dhe institucioneve komunale dhe planifikues që kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e akteve të kontestuara. Pasojat ligjore në këtë drejtim janë lëndë e analizës ligjore të përfshirë në pikën V të këtij aktvendimi.
V
Para së gjithash, sa i përket çështjes së ngritur lidhur me mandatin e këshilltarit Dimitar Orovçanec, janë relevante neni 46 paragrafi 1 alineja 6 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit, ndër të tjera, mandati i një anëtari të këshillit ndërpritet para përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur, nëse ai nuk është më banor i komunës, dhe paragrafi 2 alineja 2 i të njëjtit nen, sipas të cilit Këshilli, në mbledhjen e parë të radhës, përcakton arsyen dhe datën e ndërprerjes së mandatit të anëtarit të këshillit edhe atë në rastet nga paragrafi 1 alinetë 2, 3, 4, 5 dhe 6 të këtij neni, në ditën e plotësimit të kushtit (në rast vdekjeje; nëse dënohet me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale me dënim me burg mbi gjashtë muaj; nëse ndodh ndonjë rast që është në kundërshtim me funksionin e anëtarit të këshillit në përputhje me Ligjin për Zgjedhje Lokale; nëse i privohet aftësia juridike me aktvendim të plotfuqishëm dhe nëse është më banor i komunës).
Nga analiza e këtyre dispozitave, rezulton se Ligji për Vetëqeverisje Lokale parashikon: (1) rastet kur mandati i një këshilltari ndërpritet para përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur (ndër të tjera, kjo përfshin ndërrimin e vendbanimit nga komuna ku këshilltari është anëtar); dhe (2) të vepruarit e Këshillit, ku duhet të përcaktohet se për shkak të ndodhjes së këtyre rasteve, mandati i këshilltarit ndërpritet para kohe, me ç’rast momenti i ndërprerjes së mandatit në ato raste përcaktohet me ligj – në ditën kur është plotësuar kushti.
Lidhur me këtë të fundit, bëhet fjalë për akt të Këshillit me efekt deklarativ, i cili nuk krijon ose ndryshon një të drejtë ose marrëdhënie juridike të caktuar që ka lindur më parë dhe në mënyrë të pavarur prej tij, por qëllimi për të cilin është miratuar është të largojë kontestin ndërmjet subjekteve të interesuara të së drejtës në lidhje me ekzistencën e asaj të drejte ose marrëdhënie juridike.
Një argument shtesë, i cili tregon se ky është një akt me një efekt të tillë, është se në këto raste, Këshilli konstaton se mandati i këshilltarit është ndërprerë para kohe në ditën kur është plotësuar kushti dhe jo në ditën e konstatimit, gjë që nuk është e njëjtë kur Këshilli, në përputhje me Ligjin, përcakton përfundimin e mandatit për shkak të dorëheqjes dhe në atë rast, dita e përfundimit është dita e konstatimit dhe jo dita e dorëheqjes, ku në këtë rast, një akt i tillë ka një efekt konstituiv.
Megjithatë, sipas gjendjes faktike të konstatuar, Këshilli i Komunës së Karposhit, as në mbledhjen e parë pasuese, as deri në fund të mandatit 2017-2021, nuk ka konstatuar kurrë se kur është plotësuar kushti për ndërprerjen e parakohshme të mandatit dhe momentin e shfaqjes së tij.
Prandaj, lind pyetja nëse, pavarësisht kësaj, mund të konsiderohet se mandati i këshilltarit Dimitar Orovçanec ka përfunduar para kohe në ditën kur ai është bërë banor i një komune tjetër.
Sipas Gjykatës, përgjigjja është vërtetuar sepse bëhet fjalë për një rrethanë që mund të prodhojë efekt juridik vetëm në momentin e shfaqjes së saj, ashtu siç është rregulluar nga ligjvënësi gjatë përcaktimit të momentit prej kur konsiderohet se përfundon mandati dhe i cili jo rastësisht ka përdorur shprehjen “në mbledhjen e parë pasuese” (në të cilën duhet të konstatohet, pas ndodhjes së rastit, për shkak të sigurisë juridike).
Përndryshe, bëhet fjalë për një grup rrethanash ku, për shkak të natyrës së tyre, mund të përcaktohet vetëm se dita e përfundimit të mandatit është e njëjtë me ditën e shfaqjes së tyre.
Fakti që Këshilli nuk e konstatoi këtë, nuk do të thotë se nuk ka ndodhur kjo rrethanë dhe se nuk ka prodhuar efekt juridik në një mënyrë të atillë që mandati i këshilltarit në kohën e miratimit të vendimeve të kontestuara, tashmë ishte ndërprerë, me vetë faktin se ai u bë banor i një komune tjetër.
Duke pasur parasysh këtë, duhet të merret në konsideratë se cila është pasoja ligjore e kësaj çështjeje sa i përket kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimeve të kontestuara.
Sipas Gjykatës, për t’iu përgjigjur kësaj, nevojitet të merret parasysh se çfarë organi është këshilli i komunës, pastaj, nëse ka pasur kuorumin e nevojshëm gjatë diskutimit dhe miratimit të vendimeve të kontestuara dhe në fund, nëse vendimet janë miratuar me shumicën e parashikuar me ligj.
Në fakt, këshilli komunal është një organ kolektiv i përbërë nga një numër i caktuar anëtarësh, i cili punon në mbledhjet e thirrura nga kryetari i tij.
Megjithatë, ndërprerja e parakohshme e mandatit të këshilltarit, për shkak të rasteve të parashikuara me Ligj, nuk nënkupton edhe përfundimin e mandatit të organit në tërësi ose të mandateve të anëtarëve të tjerë të këtij organi. Në përputhje me nenin 155 paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, anëtar i këshillit për pjesën e mbetur të mandatit bëhet kandidati i radhës nga lista, e cila përcaktohet më parë nga këshilli (gjë që nuk është bërë në këtë rast) dhe vetë organi vazhdon të punojë deri në fund të mandatit për të cilin është zgjedhur përbërja e tij ose shpërbëhet para kohe sipas rasteve të parashikuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (nenet 74-77).
Nga gjendja faktike e konstatuar është e pakontestueshme se në të gjitha rastet kur janë miratuar vendimet e kontestuara, ka ekzistuar kuorumi dhe shumica e nevojshme për miratimin e tyre, duke mos e llogaritur praninë dhe votën e këshilltarit Dimitar Orovçanec.
Mandati i të gjithë këshilltarëve të tjerë të Këshillit të Komunës që kanë marrë pjesë në diskutim dhe kanë votuar për miratim, nuk është as i kontestuar dhe as i ndërprerë dhe ka një numër të mjaftueshëm anëtarësh dhe votues të pranishëm për të konsideruar se janë plotësuar kushtet për miratimin e një vendimi ligjor.
Për këto arsye, çështja e mospërputhjes së vendimeve të kontestuara me dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale nuk mund të ngrihet, nga pikëpamja e këtyre pretendimeve në iniciativë.
Lidhur me çështjet e pjesëmarrjes së publikut në miratimin e vendimeve të kontestuara dhe mundësinë e mbajtjes së mbledhjeve onlajn të këshillit, ato janë analizuar jashtë pretendimeve në iniciativë, në përputhje me nenin 26 të Aktit të Gjykatës, sepse ekzistojnë dispozita ligjore imperative në lidhje me këtë çështje, ndërsa nga ana tjetër, nga gjendja faktike e konstatuar u paraqit një dyshim, për shkak të cilit Gjykata duhet ta shqyrtojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në këtë aspekt.
Nga dispozitat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara në pikën III të këtij aktvendimi, rrjedh se këshilltarët në këshillat e komunave janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve, nëpërmjet të cilëve ata ushtrojnë pushtetin dhe marrin pjesë në vendimmarrje për çështje me rëndësi lokale të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.
Kjo arrihet nëpërmjet punës së këshillave të komunave si organe komunale, të cilat punojnë në mbledhje publike dhe me praninë fizike të anëtarëve të këshillit, ku publiku mund të përjashtohet nga ndjekja e punës së këshillit nëse ekzistojnë arsye të justifikuara, të përcaktuara nga statuti i komunës, me ç’rast kur vendoset lidhur me përjashtimin e publikut, atëherë kjo bëhet në formë vendimi që miratohet me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale janë përcaktuar edhe rastet e përjashtimeve kur në asnjë mënyrë nuk mund të përjashtohet prania e publikut, siç janë këto në vijim: 1) gjatë debatit mbi buxhetin e komunës; 2) mbi llogarinë vjetore të buxhetit dhe 3) mbi planet urbanistike.
Nuk është rastësi që ky ligj përcakton parimin e transparencës (publicitetit) në punën e këshillave të komunave. Këshilltarët janë përfaqësues të qytetarëve, të zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta dhe në këtë mënyrë sigurohet llogaridhënia e tyre ndaj atyre që u kanë dhënë mandatin për të vendosur në emër të tyre për çështje me rëndësi lokale.
Debatet publike të këshillave janë një mënyrë me të cilën qytetarët mund të dëshmojnë se si merren vendimet që u referohen atyre, gjë që është një parakusht për institucionet me përgjegjësi shoqërore dhe ushtrimin e sundimit të së drejtës dhe vetëqeverisjes lokale si vlera themelore të rendit kushtetues, si dhe për garancinë kushtetuese të qytetarëve për të drejtën e tyre për vetëqeverisje lokale dhe sovranitetin e qytetarëve për të marrë pjesë përmes përfaqësuesve të tyre në vendimmarrjen lidhur me çështjet me rëndësi lokale.
Pjesëmarrja e publikut dhe transparenca në punë janë baza për demokraci të mirëfilltë, të cilat u mundësojnë këshillave të komunave të vendosin në emër dhe në dobi të qytetarëve, të cilët i përfaqësojnë ata.
Nga procesverbalet e paraqitura të mbledhjeve të Këshillit në të cilat u miratuan vendimet e kontestuara, u konstatua se prania e publikut nuk ishte siguruar, megjithëse këto akte i referohen planeve urbanistike për të cilat Ligji për Vetëqeverisje Lokale parasheh që publiku nuk mund të përjashtohet nga këto mbledhje në asnjë mënyrë.
Pa dyshim, mbledhjet janë mbajtur onlajn, por edhe në këto raste është teknikisht e mundur të mundësohet që ato të ndiqen nga publiku, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur, sepse është përdorur një platformë komunikimi në internet që shërben për takime me një rreth të mbyllur dhe të kufizuar pjesëmarrësish.
Bëhet fjalë për një shkelje absolute të një dispozite ligjore imperative, e cila ndalon përjashtimin e publikut në çfarëdolloj mënyre, qoftë përmes miratimit të vendimit të veçantë për përjashtimin e publikut gjatë diskutimi lidhur me ndonjë plan urbanistik, qoftë përmes ndërmarrjes ose mosndërmarrjes së veprimeve faktike që si pasojë kanë përjashtimin e tij të plotë, gjë që në këtë rast është e pranishme dhe përbën bazë për dyshim serioz në lidhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e të gjitha vendimeve të kontestuara në këtë drejtim.
Ndalimi sa i përket pamundësimit të përjashtimit të publikut nuk është suspenduar kurrë me Urdhëresën me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme edhe me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e tij të mëvonshme (gjatë kohës kur ishte në fuqi dhe është miratuar dhe zbatuar vendimi i shtatë i fundit i kontestuar), e as nuk mund të bëhet një gjë e tillë përmes Vendimit për punën e Këshillit të Komunës së Karposhit duke përdorur mjete komunikimi (gjatë kohës kur janë miratuar vendimet e tjera të kontestuara).
Sa i përket bazës ligjore për mbajtjen e mbledhjeve onlajn, në vendimin e shtatë të kontestuar, Urdhëresa me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në nenin 2-b parashikon një mundësi të tillë.
Në vendimet e tjera të kontestuara, baza ligjore për këtë mënyrë të punës të Këshillit është Vendimi për punën e Këshillit të Komunës së Karposhit duke përdorur mjete komunikimi, i miratuar nga Këshilli i Komunës së Karposhit në mbledhjen e mbajtur më 28 dhjetor 2020.
Megjithatë, në lidhje me këtë vendim, së pari duhet theksuar se Ligji për Vetëqeverisje Lokale parashikon pjesëmarrjen fizike në mbledhje, si mënyrën e vetme të punës së këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, pa përjashtim.
Ky Ligj nuk përmban bazë për marrjen e një vendimi të tillë dhe as nuk parashikon mundësinë që kjo çështje të rregullohet ndryshe me rregulloret e komunave, pas bëhet fjalë për materie ekskluzivisht ligjore.
Pa dyshim, në hyrjen e Vendimit për punën e Këshillit të Komunës së Karposhit me përdorimin e mjeteve të komunikimi janë theksuar disa baza ligjore për miratimin e tij.
Kështu, në hyrjen e këtij vendimi qëndron se i njëjti është miratuar në bazë të nenit 36 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit, ku përfshihet vetëm autorizimi për Këshillin për të miratuar statutin e komunës dhe rregulloret e tjera.
Pastaj, theksohet neni 62 i të njëjtit Ligj, i cili u referohet llojeve të rregulloreve të miratuara nga këshilli, shumicës së nevojshme për miratimin e tyre, përcaktimit të burimeve dhe vlerës së mjeteve për zbatimin e rregulloreve, publikimit dhe hyrjes në fuqi të rregulloreve dhe mbajtjes së një përmbledhjeje të rregulloreve të miratuara nga Komuna, si dhe disponueshmërisë së tyre për mbikëqyrje publike.
Në fund, në hyrje thuhet se ky vendim është miratuar në lidhje me nenin 36 të Rregullores së Këshillit të Komunës së Karposhit, i cili nga ana tjetër i referohet të drejtave dhe detyrave të kryetarit të këshillit.
Për më tepër, përveç mungesës së bazës ligjore për miratimin e një vendimi të tillë nga Këshilli, i njëjti është edhe problematik nga aspekti kushtetues-juridik sepse parashikon hyrjen e tij në fuqi në ditën e miratimit të tij (neni 6 i këtij vendimi), gjë që e bën atë në kundërshtim me nenin 52 paragrafi 1 të Kushtetutës, për çka kjo Gjykatë tashmë ka shprehur qëndrimin e saj për të njëjtën çështje në Vendimin U.nr.183/2024 më 9 prill 2025.
Prandaj, në kushtet kur Ligji parashikon një mënyrë të caktuar në të cilën mbahen mbledhjet (me prani fizike) pa parashikuar përjashtime, ndërsa nga ana tjetër Këshilli vepron ndryshe duke mbajtur mbledhje onlajn, atëherë kjo gjë përbën shkelje të dispozitave të këtij Ligji, si dhe procedurës për miratimin e gjashtë vendimeve të para të kontestuara.
Fakti që ka pasur një bazë ligjore në formën e një vendimi të Këshillit nuk do të thotë se këto vendime janë kushtetuese dhe të ligjshme, pasi ekziston antikushtetutshmëri dhe paligjshmëri e dukshme e kësaj rregulloreje komunale, e cila është në kundërshtim me dispozitat ligjore sa i përket mënyrës së mbajtjes së mbledhjeve të këshillit.
Në përputhje me sa më sipër, sipas Gjykatës, ekzistojnë baza për dyshim për mospërputhjen e të gjitha vendimeve të kontestuara në lidhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 9, nenin 51 dhe nenin 52 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe pikën 1 të Amendamentit XVII të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenin 42 paragrafët 1 dhe 4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Sa i përket faktit se më parë në lëndën U.br.119/2021 është vlerësuar kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendimit të fundit të kontestuar dhe është vendosur që të mos iniciohet procedurë, megjithatë, në këtë lëndë janë plotësuar kushtet për vendimmarrje meritore lidhur me të njëjtin akt, pasi pretendimet e atëhershme në iniciativë ishin të ndryshme në raport me arsyet për të cilat në këtë rast paraqiten dyshime për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e tij.
Konkretisht, pretendimet e atëhershme kur Gjykata është prononcuar i referohen faktit se me këtë vendim është shkelur e drejta e pronësisë së parashtruesit të iniciativës, si dhe janë konstatuar shkelje në procedurën gjatë zbatimit të anketës publike në lidhje me planin e detajuar urbanistik.
VI
Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski