
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.119/2024
Shkup, 24.12.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska – Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 dhe 112 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 72 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 24 dhjetor 2025, miratoi
V E N D I M
- SHFUQIZOHET vendimi për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të Planit të detajuar urbanistik Tasino Çeshmiçe 1, Komuna Qendër – Shkup, nr.07-4414/6, i datës 18 korrik 2014 (“Fletorja Zyrtare e Komunës Qendër-Shkup”, nr.9, e datës 19.08.2014), në pjesën që i referohet lagjes aktuale të qytetit J 05 – lokaliteti Barutana, i cili përfshin vetëm bllokun 9.
- Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e iniciativës së parashtruar nga Gjorgji Radojkov nga Shkupi, në seancën e mbajtur më 24 shtator 2025, miratoi Aktvendimin U.nr.119/2024, me të cilin, ndër të tjera, u iniciua një procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së aktit të shënuar në dispozitivin e këtij vendimi.
Kjo për shkak se me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së tij me nenin 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.202/2024), si dhe me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se Vendimi për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të Planit të detajuar urbanistik Tashino Çeshmiçe 1, Komuna Qendër – Shkup, nr.07-4414/6, i datës 18 korrik 2014 është miratuar nga Këshilli i Komunës Qendër – Shkup, në mbledhjen e 23-të të mbajtur më 18.07.2014, në bazë të nenit 15 paragrafi 1 pika 1 alineja 3 dhe nenit 26 të Statutit të Komunës Qendër – Shkup (“Fletorja Zyrtare e Komunës Qendër – Shkup” nr.1/06) dhe nenit 26 paragrafi 4 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005, 137/2007, 91/2009, 124/2010, 18/2011 dhe 53/2011). Vendimi në fjalë është publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës Qendër-Shkup” nr.9, më 19.08.2014.
Vendimi përmban 8 (tetë) nene. Në nenin e parë përcaktohet se cila është lënda e Vendimit, ndërsa në nenin 2 përcaktohet sipërfaqja e hapësirës dhe përcaktohet saktësisht kufiri i fushëveprimit të planifikimit. Neni 3 i Vendimit përmban pjesët tekstuale dhe grafike dhe në nenin 4 përcaktohet se çfarë është pjesë përbërëse e Vendimit. Në neni 5 të Vendimit përcaktohet mënyra e evidentimit dhe nënshkrimit të Vendimit, numri i kopjeve të tij, si dhe ku dërgohet ai, ndërsa në nenin 6 përcaktohet se Sektori i Urbanizmit në Komunën Qendër-Shkup është i detyruar të sigurojë hartografi të planit me material grafik (hamer) ose me material plastik transparent (astralon) brenda 30 ditëve nga miratimi i Vendimit. Në nenin 7 përcaktohet se Vendimi me të gjitha pjesët e tij ruhet dhe se për zbatimin e tij kujdeset Sektori i Urbanizmit në Komunën Qendër-Shkup, ndërsa në nenin 8 përcaktohet se Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës Qendër”.
III
Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe të marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.
Në pajtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet, siç parashikohet në nenin 51 të Kushtetutës.
Me nenin 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005, 137/2007, 91/2009, 124/2010, 18/2011, 53/2011, 144/2012, 55/2013, 163/2013 dhe 42/2014), i cili ishte në fuqi në kohën kur është miratuar Vendimi i kontestuar, rregullohen kushtet dhe mënyra e sistemit të planifikimit hapësinor dhe urbanistik, llojet dhe përmbajtja e planeve, përgatitja dhe procedura për miratimin e planeve, zbatimi i planeve dhe monitorimi i zbatimit të planeve, mbikëqyrja dhe çështjet e tjera në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik.
Me nenin 7 të këtij Ligji përcaktohen llojet e planeve që miratohen në varësi të zonës që është lëndë e planifikimit, përkatësisht: planet hapësinore – ku pëfshihet Plani hapësinor i Republikës së Maqedonisë; si dhe planet urbanistike – ku përfshihen: Plani urbanistik i përgjithshëm, Plani urbanistik i detajuar, Plani urbanistik për fshat dhe Plani urbanistik jashtë vendbanimit.
Kapitulli VII i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.202/2024), titullohet “Aktet e Organeve Komunale” dhe përmban dispozita të qarta, sakta dhe njëkuptimore që i referohen përkufizimit të rregullave për këshillin komunal dhe mënyrës së miratimit të tyre.
Neni 62 i të njëjtit Ligj titullohet “Rregullat e Këshillit”. Me paragrafin 1 të këtij neni përcaktohet se gjatë kryerjes së aktiviteteve brenda kompetencës së tij, Këshilli miraton akte, përkatësisht: statutin, programet, planet, vendimet dhe rregullat e tjera të përcaktuara me ligj. Në paragrafin 2 të të njëjtit nen, rregullohet çështja e shumicës së nevojshme për miratimin e rregulloreve, përkatësisht përcaktohet në mënyrë të qartë dhe njëkuptimore se rregullat miratohen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit, përveç nëse përcaktohet ndryshe me këtë ligj ose ndonjë tjetër.
IV
Plani i detajuar urbanistik i kontestuar – ndryshimi dhe plotësimi i Planit të detajuar urbanistik Tasino Çeshmiçe 1, Komuna Qendër – Shkup, i miratuar me Vendimin nr.07-4414/6, të datës 18 korrik 2014, sipas parashtruesit të iniciativës, nuk është miratuar me shumicën e nevojshme, siç parashikohet në nenin 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, pasi vetëm 11 këshilltarë të Komunës kanë votuar për të. Ky fakt nuk kontestohet as nga miratuesi i aktit, siç shihet edhe nga përgjigjja e dërguar.
Nga përgjigjja e miratuesit të aktit, rezulton se akti i kontestuar i është nënshtruar ndryshimeve dhe plotësimeve, edhe atë me Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për lagjen e Qytetit J06 – pjesë e lokalitetit Tasino Çeshmiçe 1 dhe Tasino Çeshmiçe 2, Komuna Qendër – Shkup, nr.08-5980/6, më 10.12.2019, por jo për të gjithë fushëveprimin ose më saktë, vendimi i kontestuar është i vlefshëm vetëm për lagjen e qytetit J 05 – lokaliteti Barutana, i cili përfshin vetëm bllokun 9. Ky vendim është publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës Qendër”, nr.23/2019.
Në rastin konkret, gjatë analizës kushtetuese-gjyqësore, Gjykata mori parasysh se akti i kontestuar ishte lëndë vlerësimi para kësaj gjykate, me ç’rast me Vendimin U.nr.115/2014 të datës 25 nëntor 2014, Gjykata e hodhi poshtë iniciativën me arsyetimin se kur vlerëson kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e planeve, vlerëson ligjshmërinë e procedurës në të cilën ato miratohen, përkatësisht fazat dhe veprimet e tjera të ndërmarra në kuadër të asaj procedure të parashikuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik dhe jo punët dhe detyrat e punës, si kompetenca aktuale të subjekteve të vetëqeverisjes lokale përgjegjëse për miratimin e planit, të cilat veprojnë në bazë të dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Megjithatë, në rastin U.nr.80/2021, kontestohet Vendimi i Këshillit të Komunës Qendër-Shkup, i cili është miratuar me shumicë votash, identik me Vendimin aktualisht të kontestuar. Atëherë, Gjykata, me Vendimin nr.80/2021 të 25 janarit 2023, e shfuqizoi Vendimin e Këshillit të Komunës Qendër-Shkup sepse ishte miratuar në kundërshtim me nenin 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, gjë që përbën një ndryshim në qëndrimin e Gjykatës lidhur me kompetencën e saj sa i përket vlerësimit të kësaj faze të miratimit të planeve të detajuara urbanistike.
Nga analiza e dispozitave kushtetuese dhe ligjore të lartpërmendura, praktika kushtetuese dhe gjyqësore e paraqitur, si dhe fakti i padiskutueshëm se Vendimi i kontestuar nuk është miratuar me shumicën e nevojshme të votave të anëtarëve të Këshillit Komunal, Gjykata vlerësoi se vendimi i kontestuar nuk është në përputhje me nenin 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si dhe me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por vetëm sa i përket bllokut 9, i cili nuk ishte lëndë e planifikimit të ri.
Kjo për arsye se sundimi i së drejtës është vlerë themelore kushtetuese e garantuar, që përfshin, ndër të tjera, parimin e sigurisë juridike dhe pritshmëritë legjitime, si dhe parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë nga neni 51 i Kushtetutës dhe detyrimin e përcaktuar që secili duhet ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Kjo do të thotë se ligjet zbatohen për të gjithë në mënyrë të barabartë dhe çdo shmangie nga zbatimi i tyre përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Në fakt, vendimi i kontestuar që është lëndë e analizës kushtetuese-gjyqësore, u miratua në mbledhjen e 23-të të Këshillit të Komunës Qendër-Shkup, të mbajtur më 18.07.2014. Nga përgjigjja e Këshillit të Komunës Qendër-Shkup, si dhe nga Vendimi U.nr.80/2021 i kësaj gjykate të datës 25 janar 2023, Gjykata konstatoi se Këshilli i Komunës Qendër-Shkup kishte 23 anëtarë të Këshillit, në kohën e miratimit të tij, si dhe se në mbledhjen e 23-të të mbajtur të Këshillit, vendimi i kontestuar për miratimin e Planit të detajuar urbanistik në fjalë është miratuar me 11 vota “për” dhe 1 votë “kundër” nga numri i përgjithshëm i votave të 23 këshilltarëve. Në mbledhjen e njëjtë të Këshillit është miratuar edhe Vendimi nr.07-4414/4, i datës 18.07.2014, i cili në procedurën sipas lëndës U.nr.80/2021 është shfuqizuar për shkak të shkeljes së nenit 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Në përputhje me nenin 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, rregullat miratohen me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të këshillit, përveç nëse përcaktohet ndryshe me këtë ose ndonjë ligj tjetër.
Meqenëse Këshilli i Komunës Qendër-Shkup ka 23 anëtarë, ndërsa 12 anëtarë ishin të pranishëm gjatë miratimit të vendimit të kontestuar, ku 11 anëtarë votuan “pro” dhe një anëtar votoi “kundër”, rrjedh se gjatë miratimit të vendimit të kontestuar, shumica e nevojshme e votave për miratimin e tij ligjor dhe legjitim gjatë kohës së votimit nuk është siguruar, siç kërkohet sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale për miratimin e plotë të rregullave, përkatësisht të vendimit për planin urbanistik.
Duke marrë parasysh të lartpërmendurën, Gjykata konstatoi se vendimi i kontestuar, sa i përket vetëm lagjes së qytetit J 05 – lokaliteti Barutana, i cili përfshin vetëm bllokun 9, nuk është në përputhje me nenin 62 paragrafi 2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si dhe me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë analizës kushtetuese-gjyqësore, Gjykata mori parasysh se Vendimi i sapomiratuar i vitit 2019 i Këshillit të Komunës Qendër-Shkup nuk është lëndë kontestimi në këtë procedurë.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.
VI
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski