
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.238/2024
Shkup, 17.07.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 39 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024) në seancën e mbajtur më 17 korrik 2025, miratoi
A K T V E N D I M
NDËRPRITET procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 3 paragrafi 1 të Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për miratimin e çmimores për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës, nr.08-4692/2, të datës 05.04.2024, të miratuar nga Këshilli I Komunës së Tetovës (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Tetovës”, nr.5/2024, e datës 08.04.2024).
Arsyetim
I
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke vepruar sipas iniciativës së Branisllav Stefanovskit nga Tetova, me Aktvendimin U.nr.238/2024 të datës 16 prill 2025, inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 3 paragrafi 1 të Vendimit të lartpërmendur në dispozitivin e këtij aktvendimi, pasi para Gjykatës me justifikim të plotë u ngrit çështja në lidhje me përputhshmërinë e nenit 3 paragrafi 1 të kontestuar të Vendimit me nenin 52 paragrafi 4 të Kushtetutës.
II
Gjatë procedurës, miratuesi i aktit të kontestuar, Gjykatës Kushtetuese i dorëzoi shkresën me numër 03-7291/2 të datës 19.06.2025, me të cilën e njofton Gjykatën se Këshilli i Komunës së Tetovës më 19.06.2025 ka miratuar Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për miratimin e çmimores për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës, nr.08-4692/2 të datës 05.04.2024 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Tetovës”, nr.11/2025), me nr.08-8521/2, të datës 19.06.2025, të publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Tetovës”, nr.11/2025, të datës 19.06.2025.
Nga shqyrtimi i vendimit të dhënë, Gjykata konstatoi se ky vendim është miratuar në bazë të nenit 22 paragrafi 1 pika 4 dhe nenit 36 paragrafi 1 pikat 10 dhe 15 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.202/2024), nenit 9 të Ligjit për Veprimtari Komunale dhe nenit 105 të Ligjit për Menaxhim me Mbeturinat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut “, nr.216/2021 dhe 3/2025), si dhe në bazë të Vendimit të Këshillit nr.08-16725/b, të datës 14.12.2023 dhe nr.08-14772/24 të datës 29.12.2022, ndërsa në bazë të ofertës së pranuar nga ofrtuesi Saubermaher Slloveni, Shërbime për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, Tregti dhe Transport SHPK, sipas shpalljes së publikuar në е-furnizime nr.0002/2023 në Komunën e Tetovës dhe marrëveshjes për PPP nr.ark. 09-10224/13.
Sipas nenit 1 të këtij vendimi, me këtë vendim bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për miratimin e çmimores për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës, nr.08-4692/2, të datës 05.04.2024 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Tetovës”, nr.5/2024, e datës 08.04.2024).
Me nenin 2 të vendimit ndryshon nenin 3 i kontestuar paragrafi 1 i Vendimit, si në vijim: “Kjo çmimore do të zbatohet për shërbimet e kryera pas datës 01.05.2024”.
Në përputhje me nenin 3, Sauermaher SHPK Tetovë detyrohet që, me kërkesë të qytetarëve dhe sipas ndryshimeve të kryera, t’u kompensojë qytetarëve – shfrytëzuesve të shërbimeve komunale, diferencën financiare për faturat e muajit të 3-të dhe të 4-të të vitit 2024.
Në nenin 4 është rregulluar se bazuar në nenin 109 të Rregullores së Këshillit të Komunës së Tetovës, administrata komunale është e detyruar të përgatisë një tekst të konsoliduar të aktit.
Ky vendim, në përputhje me nenin 5, hyn në fuqi ditën e miratimit të tij, ndërsa do të publikohet në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Tetovës”.
Në Aktvendimin për inicimin e procedurës U.br.238/2024, të datës 16.04.2025, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje një lëshim nga aspekti formal dhe juridik në pjesën hyrëse të vendimit të kontestuar, sepse vetëm dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ishin renditur si bazë ligjore për miratimin e tij, por jo edhe dispozitat përkatëse të Ligjit për Veprimtari Komunale dhe Ligjit për Menaxhim me Mbeturinat.
Nga shqyrtimi i pjesës hyrëse të vendimit të ri, të miratuar për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të kontestuar, Gjykata konstatoi se Këshilli i Komunës së Tetovës veproi në përputhje me vërejtjen e Gjykatës Kushtetuese dhe e mënjanoi lëshimin formal, kështu që në pjesën hyrëse të këtij vendimi si bazë ligjore për miratimin e tij, ndër të tjera, theksohen edhe neni 22 paragrafi 1 pika 4 dhe neni 36 paragrafi 1 pikat 10 dhe 15 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.202/2024), neni 9 i Ligjit për Veprimtari Komunale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.95/12, 163/13, 42/14, 44/15, 147/15, 31/16 dhe 64/18, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.302/2020, 255/2024, 3/2025 dhe 17/2025) dhe neni 105 i Ligjit për Menaxhim me Mbeturinat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.216/2021 dhe 3/2025).
Na bazë të lartpërmendurës rrjedh se, pas miratimit të Aktvendimit U.nr.238/2024 të datës 16.04.2025, përkatësisht pas fillimit të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 3 paragrafi 1 të Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për miratimin e çmimores për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës, nr.08-4692/2, të datës 05.04.2024, Këshilli i Komunës së Tetovës më 19.06.2025 miratoi Vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të kontestuar (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Tetovës”, nr.11/2025, e datës 19.06.2025), ku me nenin 2 ndryshohet neni 3 paragrafi 1 i kontestuar për të cilin është filluar procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.
Sipas nenit 39 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do ta ndërpresë procedurën nëse gjatë procedurës, ligji, rregulli tjetër ose akti i përgjithshëm nuk është më i vlefshëm dhe nëse përveç kësaj, nuk gjen baza për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre, përkatësisht kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tyre gjatë kohës së vlefshmërisë.
Duke marrë parasysh se përmbajtja e dispozitës së kontestuar të nenit 3 paragrafi 1 të Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për miratimin e çmimores për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës, nr.08-4692/2, të datës 05.04.2024, është ndryshuar gjatë procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij dhe nuk është më në rendin juridik, Gjykata konstatoi se janë përmbushur kushtet për ndërprerjen e procedurës sipas dispozitës së lartpërmendur të Aktit të Gjykatës Kushtetuese.
III
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski