
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.9/2025
Shkup, 25.06.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 3 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 25 qershor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 167 paragrafi 4 për pjesën: “Ligjit për Nëpunësit Shtetërorë” të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.20/2004, 115/2007, 18/2011, 148/2011, 23/2013, 164/2013, 38/2014, 44/2014, 199/2014, 104/2015, 154/2015, 192/2015, 36/2016, 11/2018, 20/2019 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025).
Arsyetim
I
Igorçe Toçev nga Shkupi, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut i parashtroi iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 167 paragrafi 4 për pjesën: “Ligjit për Nëpunësit Shtetërorë” të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.20/2004, 115/2007, 18/2011, 148/2011, 23/2013, 164/2013, 38/2014, 44/2014, 199/2014, 104/2015, 154/2015, 192/2015, 36/2016, 11/2018, 20/2019 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025).
Sipas parashtruesit të iniciativës paragrafi 4 i kontestuar në pjesën “Ligji për Nëpunësit Shtetërorë” i nenit 167 të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore i referohet zbatimit të një ligji që nuk është më pjesë e regjimit juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht i referohet Ligjit për Nëpunësit Shtetërorë, i cili me hyrjen në fuqi të Ligjit për Nëpunësit Administrativë, nuk është më i vlefshëm.
Në vijim, parashtruesi thekson se, kur një dispozitë i referohet zbatimit të një dispozite tjetër, madje edhe kur një dispozitë i referohet zbatimit të dispozitave të një rregulli të tërë, është e domosdoshme që dispozita, përkatësisht ligji si rregullore, të cilës i bëhet referimi sa i përket zbatimit, të jetë pjesë e rendit juridik, me qëllim që në këtë mënyrë të shmanget çdo paqatësi lidhur me zbatimin e së drejtës, si nga ata që e krijojnë dispozitën, ashtu edhe nga ata ndaj të cilëve duhet të zbatohet dispozita ose dispozitat apo rregulli, si dhe që të respektohet parimi i sundimit të së drejtës dhe të garantohet siguria juridike.
Për shkak të lartpërmendurës, propozohet që të iniciohet procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës së kontestuar dhe e njëjta të shfuqizohet, si në kundërshtim me Kushtetutën.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se parashtruesi i iniciativës e konteston përmbajtjen e mëparshme të paragrafit 4 të nenit 167, i cili u fshi me Ligjin për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr. 164/2013) dhe nuk është më në rendin juridik.
III
Sipas nenit 110 alineja 1 e Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Sipas nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë iniciativën nëse ka pengesa procedurale për të vendosur mbi të.
Nga pretendimet e iniciativës rezulton se parashtruesi e konteston nenin 167 paragrafi 4 për pjesën: “Ligji për Nëpunësit Shtetërorë” të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke theksuar se pjesa e kontestuar e dispozitës nuk është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës dhe se i referohet zbatimit të dispozitave të një ligji që nuk është më në rendin juridik.
Në rastin konkret, parashtruesi, duke mos i marrë parasysh ndryshimet e mëvonshme të Ligjit, e kundërshton përmbajtjen e mëparshme të paragrafit 4 të nenit 167, i cili u fshi me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.164/2013) dhe nuk është më në rendin juridik.
Duke marrë parasysh se neni i kontestuar nuk është më në rendin juridik, Gjykata vlerësoi se ekzistojnë pengesa procedurale për të vendosur mbi iniciativën, gjë që përbën arsye për hedhjen poshtë të saj, në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski